Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka thënë se LVV-ja nuk i ka numrat për ta konstituuar Kuvendin.
“Ata numra nuk janë të mjaftueshëm për të votuar kryetarin e Kuvendit, për të konstituuar Kuvendit, me të vërtetë është kokëçarje për qytetarët, tallje, pse kjo kokëfortësi nga një parti politike, se paku të ndërrojnë kandidatin dhe të ketë propozime të ndryshme për të dalë nga kjo situatë”, ka thënë ai.
Për ftesën e presidentes Vjosa Osmani për konsultime, Lushtaku ka thënë se shpreson që edhe Lëvizja Vetëvendosje do t’i përgjigjet për të bërë një zgjidhje.
Ai ka thënë se po ndihen sikurse janë në një kopsht fëmijës.
“LVV-ja po shpik forma të ndryshme vetëm për të mos e hedhur në votim kandidaten e tyre për kryetare të Kuvendit, që po shihet se po dështon”, ka shtuar ai, para nisjes së vazhdimit të 15-të seancës konstituive.
“Nëse vazhdon kështu po e humbim çdo sens të përgjegjësisë çfarë e kemi para qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Lushtaku.
