Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lushaku për Kurtin: Thoshte t’i jap disa poste ministrore, aty ku unë jam zot shtëpie

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka deklaruar se partia e saj nuk pajtohet në asnjë mënyrë që vetëm një parti të mbajë tri pozitat kyç shtetërore – kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin.

Ajo ka theksuar se jo vetëm Vetëvendosje, por asnjë partie që qeverisë nuk duhet t’i takojë edhe presidenti.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“VV nuk mund të ketë presidentin e VV-së. Në këndvështrimin tonë hiç nuk flasim për emra të VV-së sepse e thjeshtë është, ajo parti që e ka Qeverinë nuk mund ta ketë edhe presidentin sepe nuk kemi balancë, nuk është më demokraci Kosova”, ka thënë ajo.

Lushaku ka shtuar se në takimet mes kryetarit të LDK-së dhe atij të LVV-së për çështjen e presidentit janë bërë oferta të papranueshme për LDK-në.

“Nuk jemi për president që është zgjatim i Qeverisë. Oferta ishte me një prapavijë tjetër, thoshte po ua japim disa poste ministrore aty ku jam unë zot shtëpie, po ua japë edhe Kuvendin aty ku Kushtetuta ma jep mua por unë e kam shumicën. I binte që të jepte poste ku tri pushtete prapë kontrolloheshin nga LVV. Nuk deshëm t’ia japim mundësinë që një parti të qeveriste Kosovën”, potencoi ajo.

Lushaku ka thënë tutje se kryeministri Albin Kurti po e keqpërdor fuqinë politike dhe po i shndërron institucionet në “makineri votimi”.

“Kur ke një besim kaq të madh popullor dhe e definon rrugën që nga kriza në krizë e paralajmëron që do të hyjë shteti ku ti je vendimmarrës dhe prej teje varen shumica e vendimeve, vërtet është shqetësuese. Është fatkeqësi që një parti arrin t’i marrë 51% dhe keqpërdorimi i votës dhe shndërrimi i institucioneve në makineri votimi edhe sa u përket ligjeve, vendimeve, procesimit dhe mënyrën si ka qeverisur dhe ka marrë vendime posaçërisht në këta muajt e fundit duke shkelur çdo afat vetëm sepse e ka shumicën, kjo është keqpërdorim i fuqisë politike që e ka brenda institucioneve”.