Arbëri

Lokacioni i dyshuar për varrezë masive në Kozhle është përdorur si deponi mbeturinash

Kozhle

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se lokacioni në Kozhlje afër Novi Pazarit, në të cilin dyshohet për varr masiv, deri tash është përdorur si deponi mbeturinash.

Lokacioni, sipas Hotit, është një prej lokacioneve që janë diskutuar disa herë nga Grupi Punues për të zhdukurit nga lufta, krahas Batajnicës e Kozharevës për të cilat Kosova ka kërkuar vazhdimisht të nisin hulumtimet.

E në këtë lokacion sot është deleguar një ekip nga Kosova. Aty do të bëhet vlerësimi e më pas do të shihet mundësia për nisjen e punimeve.

“Ky lokacion ka nisur të vlerësohet që nga viti i kaluar, por më pas është shtyrë nga pala serbe. Vetëm pas presionit të vazhdueshëm, edhe ndërkombëtar, Serbia ka filluar procesin e vlerësimit. Duhet theksuar se kjo po ndodh pas një zjarri që për gati dy muaj ka kapluar atë zonë. Nga Kosova sot është deleguar një ekip i përbërë nga z. Kushtrim Gara, z. Ditor Haliti dhe z. Valon Hyseni. Aktualisht në terren janë të pranishëm edhe ICRC dhe EULEX, krahas palës serbe. Sot po kryhet vlerësimi dhe më pas do të shihet mundësia për fillimin e punimeve”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti ka thënë se ky lokacion është përdorur si deponi mbeturinash prej vitit 1999. Ai ka bërë të ditur se për të arritur deri te zona e dyshuar, kërkohet largimi i tyre në një thellësi mbi 15 metra.

Hoti ka bërë thirrje që Serbia të mos e zvarrisë procesin në Kozhlje e që të nisë punimet edhe në lokacionet tjera.

“Ajo që ka rëndësi të veçantë është që të mos lejohet Serbia ta kthejë Kozhljen në një proces të pafund, siç ndodhi me Kizhevakun dhe Rudnicën, duke zvarritur punimet me vite të tëra dhe duke mos dhënë koordinata të sakta. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të fillojnë punimet edhe ne lokacionet tjera për të cilat ka zotime, siç është Batajnica dhe 16 lokacionet tjera të përmendura në raportin e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 29 gusht, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të pagjeturit, pati thënë në emisionin “60 Minuta” në KTV se në këtë rajon ka pasur zjarr për më shumë se një muaj e gjysmë këtë verë e se Kosova ka shprehur shqetësim për gjendjen.

“Gjatë tërë kohës kemi pasur insistim se nëse ky rast mund të dëmtojë varrin masiv. Mënyra se si është menaxhuar ka qenë shumë shqetësuese. Kemi ngritur shqetësim përmes Kryqit të Kuq. Pala serbe ka thënë se zjarri nuk e ka përfshirë lokacionin në varrin masiv. Kjo tingëllon paradoksale. Nëse vazhdimisht kemi pasur përgjigje se nuk po saktësohet varri masiv në Kozhle, për një moment kemi përgjigje se nuk është përfshirë nga zjarri. Tingëllon paradoks, por me rëndësi të jetë pjesë e agjendës”, pati thënë ai.