Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë se punëtorët e kësaj korporate do të protestojnë më 1 maj për shkak të pagave të ulëta në krahasim me tregun e punës, si dhe kushteve të vështira të punës.
Ai ka thënë se brenda vitit të paktën 1% e stafit të KEK-ut vdes prej sëmundjeve që dyshohen të jenë profesionale.
Derisa ka thënë se punëtorët e KEK-ut janë ata që punojnë në prodhimin e energjisë elektrike, dikush tjetër pasurohet.
“Punëtorët e KEK-ut kanë rrezik të shtuar e paga të vogla, ne po e prodhojmë energjinë elektrike, është një shërbim jetik për vendin, por dikush tjetër po bëhet milioner përmes prodhimit tonë. Së fundmi e pamë që ngritja e çmimit të energjisë elektrike mbi 16 për qind që kjo faktikisht ndikon në të ardhurat e punëtorëve të KEK-ut. Brenda vitit 1% e stafit vdes që ne dyshojmë prej sëmundjeve profesionale që i marrin gjatë procesit të punës, sepse çfarëdo kushtesh në KEK nuk mund t’i ikësh rrezikut të shëndetit të punëtorëve. Te punëtorët e KEK-ut me 50 euro ngritje, paga është diku te 726 euro për një vullkanizer që ka kushte jashtëzakonisht të vështira. Dispropocioni me tregun e punës na shtyn që të kërkojmë më shumë”, ka thënë ai të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.
Llumnica ka shtuar se ngritja e pagës prej 50 eurosh nuk ka mjaftuar dhe është e papajtueshme me punëtorët e KEK-ut sepse secili punëtor që punon rrezikon.
“Nuk kemi pasur moti takime me menaxhmentin e KEK-ut, në vazhdimësi ne kemi kërkuar takime por dialogu social nuk po ekziston. Më 2016 kanë qenë 5300 punëtorë ndërsa tani janë 3600-, është një mungesë e madhe dhe çdo vit pensionohen punëtorët, vetëm në 3 vjetët e fundit do të pensionohen rreth 600 punëtorë. Ata që shkojnë në pension nuk po zëvendësohen dhe disa të tjerë që po e lëshojnë punën, e bëjnë për shkak të pagës së vogël. Mosha mesatare është rreth 55 vjet. Të rinjtë nuk po konkurrojnë”, është shprehur ai.
Sipas tij, borxhi i KEK-ut ndaj punëtorëve që kanë ngre padi ndaj korporatës shkon deri në 10 milionë euro.
“Për borxhin që po kërkohet përmes padive të punëtorëve, nuk kemi shifër por e di që ka shumë lëndë, janë me mijëra – mund të jenë mbi 10 milionë euro që KEK-u ua ka borxh punëtorëve për këto padi për mosrespektim të të drejtave ligjore që burojnë nga ligji i punës. Do të bëjmë padi për kodin e ri të punës që e kanë bërë në kundërshtim me Ligjin e punës. Ne edhe kur e njoftojmë Inspektoratin e Punës nuk e kanë atë fuqinë ekzekutuese apo përmbaruese të këtyre lëndëve. Ka pasur ndëshkime për KEK-un sidomos për kushtet e punës”, ka theksuar ai.