Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Milivoj Beshlin në PIKË me Veton Surroin (III)

Në episodin e 59-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është historiani serb Milivoj Beshlin. (Pjesa e tretë)

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Surroi: Demonstratat e vitit 1981 nuk kishin arsye të organizoheshin

43 min. më parë / 5 kor 2026 20:44
veton

Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se protestat e vitit 1981 në Kosovë nuk kishin arsye të organizoheshin pasi në ato kohë nuk po zhvilloheshin procese të rëndësishme kushtetuese apo politike që do të justifikonin kërkesa për ndryshime.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIK” me historianin serb Milivoj Beshlin, Surroi ka thënë se nga kush po kërkohej ndryshime asokohe kur s’kishte më qendër.

“Nga kush të kërkoheshin ndryshime kushtetuese në Kosovë, kur nuk kishte më qendër?”, u shpreh Surroi.

Ai shtoi se ngjarjet e vitit 1981 e rikthyen në skenën politike dhe historike ndikimin e ideve të Dobrica Qosiqit, që përfshinte shfuqizimin e autonomisë së Kosovës dhe rritjen e kontrollit ndaj saj – politika që më pas u zbatuan nga krimineli Sllobodan Millosheviq.

Sipas Surroit, edhe pse Qosiqi nuk ishte në pushtet, idetë e tij u bënë udhërrëfyese për politikën serbe gjatë viteve '80.

“Dobrica Qosiq thotë: 'Kisha të drejtë, Leka Rankoviqi kishte të drejtë', dhe prej aty fillon rikthimi drejt centralizimit, që më vonë, me Sllobodan Millosheviqin, përfundoi me shkatërrimin e shtetit”, deklaroi Surroi.

Nga ana tjetër, Beshlin u shpreh se demonstratat e vitit 1981 u cilësuan si kundërrevolucion dhe u shtypën me forcë, duke shtuar se regjimi ushtarak i vendosur në Kosovë pas atyre ngjarjeve nuk u largua kurrë plotësisht.

Sipas tij, edhe sot nuk ka një përgjigje të qartë në historiografi nëse protestat e vitit 1981 janë ndikuar nga faktorë të jashtëm apo kanë qenë tërësisht zhvillim i brendshëm.

Beshlin për negociatat e ’70-tës: Fadil Hoxha synonte forcimin e shtetësisë së Kosovës

1 o. më parë / 5 kor 2026 20:24
Milivoj Beshlin

Historiani serb Milivoj Beshlin ka thënë se gjatë negociatave për amendamentet kushtetuese të viteve 1970-1971, Fadil Hoxha dhe Komisioni Kushtetues i Kosovës synonin forcimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës, duke e bërë atë sa më pak të varur nga Serbia dhe më të lidhur me federatën jugosllave.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Beshlin ka thënë se Komisioni Kushtetues i Kosovës, i udhëhequr nga Fadil Hoxha, dhe ai i Serbisë, i drejtuar nga Drazha Markoviqi, kishin qëndrime diametralisht të kundërta për zgjerimin e autonomisë së Kosovës.

Sipas tij, Drazha Markoviqi kundërshtonte pothuajse çdo propozim që vinte nga Prishtina, pasi i konsideronte ato si hapa drejt shtetësisë së Kosovës.

“Çdo gjë që propozonte Fadil Hoxha, përkatësisht Komisioni Kushtetues i Kosovës, i ngjante shtetësisë. Natyrisht, përfaqësuesit e Kosovës kishin idenë për të forcuar një lloj shtetësie dhe sovraniteti të krahinës, që sa më pak të varej nga republika dhe sa më shumë të lidhej me federatën”, ka thënë Beshlin.

E publicisti Surroi ndërhyri duke thënë se propozimin e Hoxhës ishin të drejta.

Ai vlerësoi se qëllimi kryesor i amendamenteve kushtetuese të viteve 1968 dhe 1971, si dhe i Kushtetutës së vitit 1974, ishte që çështja e Kosovës të mos mbetej vetëm përgjegjësi e Serbisë, por të trajtohej edhe në nivelin federativ.

Beshlin shtoi se debatet kushtetuese të asaj kohe ishin jashtëzakonisht të detajuara dhe trajtonin çështje që lidhen me simbolet e Kosovës, emërtimin e aktit më të lartë juridik, si dhe pozitën kushtetuese të krahinës në federatën jugosllave.

Sipas tij, kur Komisioni Kushtetues i Kosovës dhe ai i Serbisë nuk arrinin marrëveshje, çështjet dërgoheshin në arbitrazh te Komisioni Kushtetues Federativ, i udhëhequr nga Millentije Popoviq, i cili, sipas Beshlinit, në shumicën e rasteve vendoste në favor të krahinave.

Beshlin: Nikeziq dhe Peroviq, të parët që ngritën idenë që Kosova të bëhej republikë në Jugosllavi

1 o. më parë / 5 kor 2026 20:12
Milivoj Beshlin

Historiani serb Milivoj Beshlin ka thënë se të parët që e ngritën seriozisht dhe në mënyrë sistematike mundësinë që Kosova të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë ishin udhëheqësit reformues të Serbisë, Marko Nikeziq dhe Llatinka Peroviq.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Beshlin ka thënë se kjo ide nënkuptonte ndryshimin e të gjithë strukturës së federalizmit jugosllav.

“Por, të parët, s’mund të thuhet zyrtarisht, që e ngritën çështjen shumë seriozisht dhe sistematikisht, pra mundësinë që Kosova të bëhej republika e shtatë, që nënkuptonte ndryshimin e të gjithë strukturës së federalizmit jugosllav, ishin udhëheqja reformuese e Marko Nikeziqit dhe Llatinka Peroviqit, që erdhën në krye të Partisë në Serbi në fund të vitit 1968”, ka thënë ai.

Sipas Beshlinit, pas rrëzimit të Aleksandar Rankoviqit nisi një proces i gjerë reformash kushtetuese, ndërsa në vitin 1968 u zhvilluan diskutime intensive për zgjerimin e kompetencave të krahinave autonome.

Ai u shpreh se gjatë debatit për amendamentet kushtetuese, Kosova fitoi kompetenca më të gjera, të drejtë për një vetëqeverisje më substanciale dhe ndryshoi emrin nga Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës.

Beshlin shtoi se viti 1968 shënoi një kthesë të rëndësishme politike, pasi, sipas tij, u krijua një narrativë anti-Rankoviq dhe brenda Partisë Komuniste nisi një proces reflektimi për masat represive të zbatuara në Kosovë.