Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ish-zëdhënësi i NATO-s: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri-Kroaci nuk e kërcënon Serbinë

3 o. më parë / 24 mar 2026 23:15
jamie shea

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, vlerëson se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, nuk e kërcënon Serbinë. 

Shea, që ishte zëdhënës i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se bashkëpunimi do të jetë më tepër në çështje si shuarjen e zjarreve nëpër pyje, kërcënime mjedisore, pandemitë, e gjëra të tilla. 

“Ne nuk duhet t’i shohim forcat ushtarake vetëm duke bërë luftëra të mëdha dhe nuk e shoh aleancën që të jetë armiqësore ndaj Beogradit në asnjë mënyrë. Mendoj se Beogradi duhet të bashkëpunojë në këtë formë të bashkëpunimit rajonal, dhe do të ishte edhe si masë e rritjes së mirëbesimit. E sa për Serbinë, po ajo shpenzon më shumë në Ushtri sesa kërkohet duke pasur parasysh faktin se askush nuk po e kërcënon Serbinë në këtë moment”, tha Shea në Interaktiv të KTV-së. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa ditë më parë kishte thënë se është i shqetësuar me këtë marrëveshje bashkëpunimi mes Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë dhe tha se po “përgatitet një sulm ndaj Serbisë”. 

“Faktet nuk e vërtetojnë këtë pikë vështrimi të Vuçiqit. Serbia nuk kërcënohet nga askush. Është në proces të bashkëngjitjes në Bashkimin Evropian, ndonëse ngadalë. Po thith shumë investime nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe ka një partneritet për paqe me NATO-n, madje edhe kryen ushtrime të përbashkëta me NATO-n, ani pse presidenti Vuçiq nuk e përmend këtë shpesh publikisht. Kështu që ideja se Serbia është sikurse Ukraina duke u përballur me një rrezik të madh të jashtëm, thjesht nuk është e vërtetë. Përsëri po e them, nëse shikoni protestat e mëdha gjatë vitit të kaluar në Serbi, njerëzit nuk po kërkojnë nga qeveria të shpenzojë para të panevojshme në aeroplanë rusë, kinezë apo raketa. Ata thjesht po kërkojnë të përmirësohen infrastruktura, shërbimet publike, arsimi pas të gjitha atyre të shtënave nëpër shkolla që kemi parë. Kjo është çfarë njerëzit e Serbisë duan dhe natyrisht nëse Qeveria e Serbisë nuk ofron çfarë njerëzit duan, atëherë mendoj se Qeveria do të zhduket më parë sesa do të zhduken njerëzit”, tha Shea. 

Shea beson se luftërat e mëdha janë kryer në rajon dhe se problemin më të madh në Ballkanin Perëndimor e sheh në “ato që njihen si zona të hirta të luftës apo luftëra hibride”. 

“Me fjalë të tjera, jo duke dërguar forca ushtarake përgjatë kufijve, të cilat do të ishin katastrofike, por më shumë përpjekje për të minuar qeveritë e tjera me sulme kibernetike, propagandë, fushata të dezinformatave dhe ndonjëherë edhe duke dërguar formacione të armatosura sikurse në incidentin e Banjskës, kur kishte forca paramilitare që synuan të krijonin tensione, krijonin ndasi, përçajnë shoqëritë”, ka thënë Shea.

 

Po të ishte Kosova tash në luftë, a do të intervenonte NATO-ja, sipas ish-zëdhënësit Shea?

4 o. më parë / 24 mar 2026 23:09
jamie shea

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, i është përgjigjur një pyetjeje hipotetike nëse sot NATO-ja do të intervenonte në Kosovë nëse do të ishte një situatë e njëjtë me atë të 1999-s. 

Ai ka thënë se aktualisht është momentum i ri e se SHBA-ja nuk është më e përfshirë në aleancën ushtarake ashtu siç ishte atëkohë. Ka theksuar se viti 1999 ishte momentum unik politik kur rusët ishin të dobët, kinezët ishin neutralë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe kur amerikanët ishin më të përfshirë.

“Po, sot është krejt tjetër momentum, le të flasim hapur për këtë gjë.  Shtetet e Bashkuara nuk janë aq të përfshira në NATO siç ishin, nuk janë aq të përkushtuara sa ishin atëbotë, lufta në Ukrainë ka lënë të kuptohet se NATO-ja është rikthyer te mbrojtja kolektive në lindje të Evropës dhe te misioni i saj që ka pasur që nga fillimi. NATO-ja e la Afganistanin tash po tërhiqet nga Iraku. Nuk qëndroi në Libi. Prandaj Kosova është një rast përjashtimi me KFOR-in që është aty 27 vjet”, u përgjigj ai.  

Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, po ashtu ka folur edhe për rrugëtimin e Kosovës në aspektin e sigurisë pas çlirimit të saj, teksa ka shprehur dëshirën që të mos vdesë pa e parë Kosovën në NATO.

“Do të isha sigurisht shumë i irrituar nëse e lë këtë botë pa e parë Kosovën si pjesë të NATO-s dhe mendoj se kjo gjë do të ndodhë. Mendoj se Aleancës së NATO-s i duhet më shumë imagjinatë kur bëhet fjalë për Kosovën. Nuk mund të lejojmë që çështja e mosnjohjes nga disa aleatë tanë që ta bllokojë progresin. Në vështrimin tim, nuk ka ndonjë arsye që Kosova mos të jetë anëtare e plotë e Partneritetit për Paqe”, theksoi Shea.

E derisa u pyet për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë 27-vjet pas përfundimit të luftës, kur edhe situata gjeopolitike në botë nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme, Shea ka thënë se Serbia nuk po kërcënohet nga askush.
 

“NATO-ja s’kishte alternativë tjetër” – Ish-zëdhënësi i NATO-s kujton kohën e bombardimeve në Kosovë

4 o. më parë / 24 mar 2026 22:56
jamie shea

“Kosova ishte një tregim suksesi”, ka thënë zëdhënësi i NATO-s në kohën e bombardimeve në Kosovë, Jamie Shea. Derisa ka kujtuar kohën e intervenimit të NATO-së gjatë luftës në Kosovë më 1999, ish-zëdhënësi i NATO-s ka thënë se nuk ka qenë e lehtë që të arrihej konsensusi për të bërë një gjë të tillë.

Në intervistën dhënë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, me rastin e 17-vjetorit të sulmeve të aleancës mbi caqet ushtarake serbe, Shea ka thënë se në atë kohë kishte dyshime nëse fushata ajrore do të ishte e suksesshme dhe se kishte diskutime për një operacion tokësor.

Shea ka theksuar se NATO provoi fillimisht diplomacinë si mënyrën paqësore të zgjidhjes së krizës, por se nuk pati alternativë tjetër pos intervenimit ushtarak.

“Ne shkuam në Rambuje me serbët, me kosovarët dhe provuam të gjenim një kompromis që do ta bënte luftën të panevojshme. Por pas janarit të vitit 1999 dhe Masakrës së Reçakut, dhe refuzimit të paqes së Rambujesë nga ana e serbëve, unë u bëra pesimist dhe u binda se Millosheviqi donte një zgjidhje të dhunshme dhe kështu që pavarësisht të gjitha komplikimeve dhe të panjohurave, intervenimi ushtarak i NATO-s nuk kishte alternative tjetër”, ka thënë Shea.