Qëllimi i Listës Serbe prapa mbështetjes së iniciativave rome dhe boshnjake është shndërrimi i saj në faktor kryesor për formimin e institucioneve të reja.
Por, pavarësisht numrit të deputetëve që mund t’i ketë Lista Serbe, qasja e subjektit fitues do të jetë e ngjashme me atë të vitit 2019.
Do të përmbushet obligimi kushtetues që Lista të përfshihet në qeveri, por Vetëvendosje nuk do të hyjë në marrëveshje koalicioni me këtë subjekt.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu, ka thënë se do të shohin se sa janë deputetët e tjerë nga komunitetet jo-serbe, për të nisur bashkëpunimin drejt formimit të institucioneve të reja.
“Rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit është historik jo vetëm për nga numrat, por edhe për nga domethënia e tij. Qytetarët asnjëherë më parë nuk kanë qenë më të prerë se duan ndryshim rrënjësor si në të bërit politikë ashtu edhe në qeverisje. Prandaj, reforma në subjektet e tjera është e domosdoshme. Ajo më së miri arrihet në opozitë. Ne presim që të kemi numrin e nevojshëm të deputetëve për formimin e qeverisë dhe institucioneve. Do të presim të shohim edhe deputetët e tjerë të komuniteteve jo-serbe dhe kështu të fillojmë bashkëpunimin drejt formimit të institucioneve të vendit. Qeveria Kurti, sikur në shkurtin e vitit 2020, do të jetë qeveri e Republikës së Kosovës, e cila as nuk do të varet e as kushtëzohet nga votat e Listës Serbe të Beogradit”, ka thënë Kryeziu.
Analisti dhe gazetari serb nga veriu i Kosovës, Branislav Kërstiq, e quan të orkestruar votimin serb dhe mbështetjen për iniciativat rome e boshnjake, ku qëllimi final është ndikimi në zgjedhjen e presidentit.
“Regjimi i Beogradit dhe aparati i cili është instaluar në Kosovë, përveç votimit për Listën Serbe, e ka instrumentalizuar edhe votën për llogari të një iniciative boshnjake dhe një rome. Shumë serbë në veri kanë mbetur të hutuar se si Lista Boshnjake në komunën e Zubin Potokut ku nuk jetojmë më shumë se 10 boshnjakë ka fituar 400 vota. Ky është rezultat i vjedhur dhe ka dyshime edhe për keqpërdorime dhe keqmenaxhim të procesit. Flitet për raste ku një person ka më shumë se pesë herë, madje kampioni është njëri që flitet se ka votuar 34 herë për listën serbe”, ka thënë, Branislav Kërstiq, analist dhe gazetar.
Iniciativa e ish-ministres së Pushtetit Lokal Adriana Hoxhiq, ka siguruar rreth 6 mijë e 400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ndërkaq Iniciativa Rome ka fituar rreth 4 mijë vota. Kjo ka bërë që jashtë Kuvendit të mbeten partitë politike që në të kaluarën kanë përfaqësuar këto komunitete.