Arbëri

Lista Serbe mban peng dy ligje

Plotësim-ndryshimi i Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe atij për festat zyrtare kanë mbetur peng i Listës Serbe. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Lista Serbe nuk ka arsye specifike pse nuk po e voton Ligjin për vetëqeverisje lokale, por thjesht nuk po merr pjesë në seancë kur është në rend dite të votohet ky projektligj. Ka thënë se me plotësim-ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale, Kuvendi Komunal mund të shpërndahet në tri situata, e jo në dy siç parashihet aktualisht. Ndërsa ai për festat zyrtare mes të tjerash parasheh që nëse një festë bie gjatë vikendit, nuk do të ketë pushim gjatë ditëve të punës

Ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisje lokale, që kërkon shumicën e votave edhe të komuniteteve, ka mbetur peng i Listës Serbe. Edhe pse projektligji është përcjellë në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar, sa herë që është në rend dite, deputetët e kësaj partie nuk marrin pjesë në seancë.

Inicimi i këtyre ndryshimeve ishte bërë pas rastit kur Komuna e Graçanicës për 4 vjet nuk kishte propozuar zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komuniteteve, që në rastin e saj duhej të ishte shqiptar.

Në një konferencë për media, ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Lista Serbe nuk ka ndonjë arsye specifike pse nuk po e voton Ligjin për vetëqeverisje lokale, porse shpreson ta gjejnë gjuhën e përbashkët shumë shpejt.

“Kuvendi i Komunës mund të shkojë në zgjedhje në tri situata (me ligjin që është në procedurë v.j.). Aktualisht shkon në zgjedhje në dy situata, kur nuk e voton buxhetin dhe kur nuk e voton kryesuesin. Situatën e tretë, që e kemi shtuar, është edhe kur nuk plotëson obligimet kushtetuese dhe fatkeqësisht Lista Serbe nuk ka asnjë kërkesë specifike për të votuar ligjin, thjesht nuk merr pjesë në seancë kur kemi Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe Ligjin për festa zyrtare”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka treguar për rastin me Komunën e Graçanicës, ku sipas tij, pas ardhjes në pushtet i ka bërë një shkresë kryetarit të atëhershëm dhe i ka dhënë ultimatum bazuar në Ligjin për vetëqeverisje.

“I kemi shkruar që nëse brenda 5 dite nuk iniciohet propozimi për emërimin e nënkryetarit, ne do të propozojmë në mbledhjen e Qeverisë në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe më pas sigurisht Gjykata jep verdiktin final. E këtë pjesë e kemi paraparë që të ndryshohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndryshimi i Ligjit për vetëqeverisje lokale ka filluar pas identifikimit të këtyre mangësive në implementim nga niveli lokal dhe se si ministri janë munduar që t’u japin zgjidhje situatave të tilla.

Ndërkohë me Ligjin për festa zyrtare parashihet që të largohet bartja e festave. Nëse një festë bie gjatë vikendit, nuk do të ketë pushim gjatë ditëve të punës.

Plotësim-ndryshimi i Ligjit për vetëqeverisje lokale është kundërshtuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës më herët. AKK-ja akuzoi Qeverinë për mosftesë në kohën kur u bë draftimi i këtij ligji.

Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka treguar se më 6 qershor 2021 është mbajtur takimi i parë për fillimin e amendamentimit për Projektligjin për vetëqeverisje lokale ku kanë marrë pjesë në këtë takim dhe kanë kërkuar nga ministri Elbert Krasniqi që të presin derisa të përfundojë procesi i zgjedhjeve lokale dhe të konstituohen institucionet lokale.

Drejtori Ekzekutiv i AKK-së tha se nuk kanë mundur që të marrin pjesë në takime të tjera, pasi Asociacioni vepron në bazë të kërkesave të komunave.

Ibrahimi tha se nuk kanë pasur as rekomandime, pasi nuk kanë mundur që t`i mbledhin kryetarët e komunave për diskutim.

Në konferencën e së dielës, ministri Krasniqi ka folur edhe për Ligjin për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë.

“Ky ligj do të rregullojë plotësisht aspektin juridik të sistemit për menaxhimin e performancës komunale, i cili në vete parasheh një mjet kontrolli për komunën dhe instrument monitorimi për autoritetet mbikëqyrëse, për të vlerësuar ndërlidhjet mes objektivave strategjike komunale, detyrimeve ligjore dhe veprimeve të përditshme të administratës komunale”, ka thënë Krasniqi.

Ministri Krasniqi bëri të ditur se element i rëndësishëm do të jetë edhe pjesa e shpërblimit të komunave që dëshmojnë angazhim dhe përmirësim të shërbimeve, për të cilat do të ndahet granti i performancës komunale në skenën e bashkëfinancimit me donatorë të ndryshëm.

“Themelon sistemin e menaxhimit të performancës komunale, përcakton parimet kryesore, si dhe normon të drejtën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për të matur performancën e komunave në ofrimin e shërbimeve për qytetarët në kuadër të kompetencave vetjake të komunës. Cakton të drejtën dhe përgjegjësitë e të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij sistemi, përfshirë zyrtarët, raportues të komunës, koordinatorin për performancë komunale, kryetarin e komunës, njësinë përgjegjëse për performancë në APL, si dhe palët e tjera”, ka thënë ai.

Sipas tij, projektligji përcakton elementet kryesore të sistemit të performancës mbi bazën e së cilës ushtrohet matja e performancës, kësisoj projektligji përcakton këtë nivel të hierarkisë së procesit të matjes, bazuar në fushë, indikator dhe të dhëna.

Krasniqi shtoi se një pjesë e këtij ligji është edhe rregullimi i grantit të performancës, ku për herë të parë do të këtë një grant shtesë për komunat, i cili do të këtë lartësinë deri në 2.5 për qind të grantit të përgjithshëm dhe do të merret nga buxheti i shtetit.

Sipas tij, përveç donatorëve, si Qeveria e Zvicrës, Suedisë dhe ajo e Norvegjisë, për herë të parë këtë vit, nga vlerësimi i raportit të performancës, Bashkimi Evropian do të bashkëfinancojë këtë projekt për 4 vjetët e ardhshëm me vlerë 15 milionë euro.

Krasniqi ka njoftuar se janë duke punuar edhe në plotësim-ndryshimin e Ligjit për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.