Komuna e Lipjanit ka marrë vendim që prindërit në fshatin Gadime dhe Sllovi ta kenë mundësinë që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në çerdhe publike pa pagesë. Sipas vendimit të Komunës fëmijët lirohen nga pagesa e tarifave për qëndrim ditor prej datës 15 shtator deri më 31 dhjetor të këtij viti.
“Drejtoria komunale e Arsimit i ka parashtruar kërkesë kryetarit të komunës për qëndrim pa pagesë të fëmijëve në çerdhe publike në Gadime dhe Sllovi të cilët janë në fazën fillestare provuese për periodën kohore 15.09.2022 deri më 31.12.2022 dhe pas kësaj faze të propozohen tarifat për aprovim përmes kuvendit Komunal. Duke u bazuar në arsyeshmërinë e kërkesës pasi këto dy objekte janë në fazën provuese të funksionalizimit dhe ende nuk dihet numri i fëmijëve që do të vendosen për qëndrim ditor si dhe me qëllim të përkrahjes dhe nxitjes së punësimit të nënave në viset rurale, është vendosur në diapozitiv të këtij vendimi”, thuhet midis të tjerash në vendimin e Komunës.
Ndërkohë, edhe zyra për informim në komunën e Lipjanit përmes një njoftimi ka konfirmuar se: “Komuna e Lipjanit ka marrë Vendim për lirim nga pagesa e tarifave për qëndrim ditor të fëmijëve në çerdhet publike në fshtrat Gadime dhe Sllovi”.