Katër ish-kryetarët e Lipjanit së bashku me kryetarin aktual Imri Ahmeti u bënë bashkë në ceremoninë e inaugurimit të objektit të ri të Komunës, që u bë të hënën në kuadër të kremtes së 28 Nëntorit. Projekti është financuar vetëm nga arkëtimi i të hyrave nga tatimi në pronë i qytetarëve dhe ka kosto prej rreth 2 milionë eurosh.
“Ky objekt është dhuratë e qytetarëve lipjanas për vetë qytetin dhe komunën tonë, sepse është financuar ekskluzivisht dhe 100 për qind vetëm nga taksat e tatimit në pronë nga vetë qytetarët lipjanas dhe pa ndihmën e asnjë institucioni tjetër”, ka deklaruar Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit.
Në këtë objekt me rreth 5 mijë metra katrorë janë planifikuar zyra për të gjitha drejtoritë dhe zyrtarët administrativë që deri më tash kanë funksionuar të shpërndarë nëpër objekte të ndryshme në qytetin e Lipjanit. Krahas kësaj, ka edhe një hapësirë prej 900 metrash katrorë për arkivin e dokumenteve të vjetra.
“Nga një hapësirë pune në disa baraka e në disa objekte të vjetruara, sot po e zë vendin një objekt që e zbukuron qytetin tonë. Ndjenjë edhe më e veçantë është sot, sepse po e inaugurojmë një objekt të ri pikërisht në 110-vjetorin e flamurit kombëtar, në ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe në ditën e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë më tej Ahmeti.
Lipjani është njëra ndër komunat më të mëdha sa i përket territorit. Ka rreth 338 kilometra katrorë me gjithsej 62 vendbanime e me rreth 58 mijë banorë.