Arbëri

Lipjani me harta zonale, përplasen pushteti e opozita

Kuvendi Komunal i Lipjanit ka miratuar draft-projektin e hartave zonale. Seanca është përcjellë me përplasje pushtet-opozitë. Asamblistët e opozitës akuzuan drejtuesit e Komunës se ndërtuesve të caktuar me këtë plan u është mundësuar rritje e koeficientit për ndërtime të larta në zona të caktuara. Kërkesat e opozitës për ndryshime nuk janë marrë parasysh nga ekzekutivi.

Kuvendi Komunal në Lipjan me shumicë të votave ka miratuar draft-projektin e Hartave Zonale, por i gjithë debati është zhvilluar me akuza e kritika ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Aty kryetari i Komunës u kritikua se përfitues në këto harta zonale është vetëm ai me miqtë e tij e jo qytetarët.

Opozita ka akuzuar ekzekutivin e Komunës se nëpërmjet hartave zonale ua ka mundësuar ndërtuesve të caktuar të ndërtojnë banesa shumëkatëshe.

“Ne thjesht po kërkojmë që tregu të bëhet park, sepse Lipjani ka nevojë për park, Lipjani s’ka park. Nëse kryetari thotë se ju nuk i keni bërë obileskat dhe parqet, atëherë tash është koha dhe kurrë më Lipjani nuk mund të bëjë park”, ka thënë shefi i Grupit të kuvendarëve të PDK-së, Lulzim Rrustemi.

“Kjo hartë po më bën të dyshoj se po i mbron interesat e caktuara. Kryetar i përmende miqtë dhe nuk më erdhi mirë, po të pyeti a thua a ka përfituar ndonjë mik i yti në këtë hartë, e po mirë faleminderit”, ka shtuar Ramiz Qeriqi nga AAK-ja.

Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, ka thënë se përmes hartave zonale i jepet zgjidhje Planifikimit zhvillimor të qytetit.

“Jo një mik, por gjithë qytetarët e Komunës së Lipjanit do të përfitojnë dhe kanë përfituar nga këto harta zonale. Unë thashë se në minutat e fundit nuk mund ta ndërrojmë atë, sepse qe tre vjet kemi pasur kohë këtë punë me bë. Nëse ti ke qenë me një kërkesë me shkrim për këtë punë thuaje publikisht. Ata që kanë adresuar kërkesa me shkrim iu kemi përgjigjur”, është shprehur Ahmeti.

Projekti për ndërtimin e hartave zonale është financuar nga GIZ-i gjerman, por deri më tash është zvarritur për shkak të situatës së pandemisë.