Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës ka qëndruar të premten për vizitë zyrtare në Kosovë. Ligjvënësit belgë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në takim me kolegët e tyre në Prishtinë, kanë theksuar përkrahjen e pakusht të Belgjikës për Kosovën, përfshirë edhe anëtarësimin e saj në Asamblenë Parlamentare të NATO-s si anëtare e asociuar
Belgjika do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s si anëtare e asociuar, kanë theksuar përfaqësues të delegacionit belg gjatë vizitës që i bënë të premten Kuvendit të Kosovës.
Ligjvënësit nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO gjatë takimit me deputetët e Kuvendit të Kosovës premtuan përkrahjen e tyre edhe për proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Ka shumë tensione brenda Ballkanit, shumë tensione brenda vendit dhe mendoj se është një gjë e mirë që ne jemi këtu për të theksuar se Belgjika do të qëndrojë gjithmonë e fortë në anën tuaj, dhe gjithashtu kur flasim për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Kosova mund të jetë dhe duhet të jetë anëtare. Një anëtare e asociuar që do të jetë një hap shumë i mirë përpara në kuadër të integrimit dhe mendoj se AP e NATO-s është shumë i rëndësishëm për të diskutuar për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe vazhdon të jetë një nga prioritetet tona”, është shprehur Theo Francken, kryesues i delegacionit belg në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare në NATO, deputeti Driton Hyseni tha se janë të angazhuar për rritjen e prezencës së Kosovës në këtë institucion.
“Kudo që Kosova ka rastin të futet në agjendat e institucioneve të BE-së, Belgjika është pranë Kosovës dhe ka përkrahjen e saj. Këtë përkrahje e konfirmuan edhe tre deputetët e Parlamentit të Belgjikës se do të jenë pranë Kosovës dhe aspiratave të popullit të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, për integrim në NATO dhe integrim në mekanizma të tjerë të Bashkimit Evropian, me qëllim që Kosova të mos ndihet e lënë anash, por të jetë pjesë e familjes së vlerave të BE-së”, deklaroi Hyseni.
Delegacioni belg është pritur edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca. Takimi ka qenë i mbyllur për media, ndërsa që nëpërmjet një komunikate është bërë e ditur se në të është biseduar për situatën politike dhe aspiratat integruese të Kosovës.
Delegacionin e ka pritur edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas komunikatës nga Qeveria, në takim u diskutua për prezencën e delegacionit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s, bashkëpunimin bilateral dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.