Arbëri

Ligji për Skemat Pensionale kalon filtrin e Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se ndryshimet në Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo ka konstatuar se në asnjë nga tri çështjet e ngritura nga Avokati i Popullit nuk ka pabarazi dhe diskriminim

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ndryshim-plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në aktgjykimin e publikuar të enjten, Kushtetuesja ka vlerësuar se në skemën e re përfshihen të gjitha kategoritë e punëtorëve dhe nuk ka diskriminim midis grupeve.

“Gjykata konstaton se neni 4 i Ligjit të kontestuar, që e shton nenin 8/A, pas nenit 8, në Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti nuk është në kundërshtim me dispozitat e nenit 24 [Barazia para ligjit] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut EDNJ-së, dhe nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të protokollit nr. 12 të KEDNJ-së”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.

Ndryshimet në ligj ishin kontestuar nga Avokati i Popullit. Ai i pati ngritur tri çështje: nëse Ligji shkakton pabarazi e diskriminim; nëse është larguar kriteri prej 15 vjetësh stazh kontributpagues për qytetarët që, për shkak të largimit nga puna si pasojë e masave të dhunshme, nuk e kanë arritur stazhin e kërkuar; dhe nëse “pensioni parcial kontributpagues i moshës përbën skemë të re”.

“Gjykata vlerësoi se mënyra e përcaktimit të pensioneve përmes skemës parciale kontributpaguese të moshës përmes nenit 4 të Ligjit të kontestuar ua njeh përvojën e punës dhe kontributet pensionale, pa dallim, të gjithë punëtorëve të dëbuar dhunshëm nga puna përgjatë viteve 1989-1999, duke e shmangur kësisoj çfarëdo forme të diskriminimit dhe të trajtimit të pabarabartë midis grupeve, në lidhje me të drejtën e tyre për realizimin e pensionit kontributpagues të moshës. Gjykata vlerësoi që zgjidhja e përcaktuar përmes Ligjit të kontestuar e paraqet një ekuilibër të drejtë mes qëllimit legjitim të mbrojtjes së interesit publik dhe të drejtave dhe lirive themelore të individit”, thuhet në aktgjykim.

Ndryshimi në ligj parasheh që të gjithë ata që para 1 janarit 1999 nuk kishin arritur stazh prej 15 vjetësh, pasi ishin larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme të Serbisë, mund të kualifikohen në skemën e pensionit parcial kontributpagues të moshës.

Ligji i vjetër e parashihte të drejtën e përfitimit nga pensioni kontributpagues vetëm për ata që dëshmonin se kanë kontribuuar për 15 vjet në ish-Fondin Pensional.

Ndryshimet në ligj u bënë pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi më 2022 një paragraf, për të cilin konstatoi se ua mohoi të drejtën e pensionit mijëra qytetarëve.

Sipas vlerësimeve të Qeverisë, janë rreth 70 mijë persona që me ndryshimet ligjore janë kualifikuar për pensionin parcial kontributpagues të moshës.