Besimtarët myslimanë festojnë të premten festën e Kurban Bajramit. Qindra prej tyre janë tubuar për faljen e namazit të Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, aty ku mbahet ceremonia kryesore.
Myftiu Naim Tërnava ka bërë thirrje për paqe, teksa ka thënë se është festë gëzimi dhe reflektimi. Ai ka kërkuar reagimin e shtetit për rënien e natalitetit në Kosovë
“Është ditë kur kujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që ai na dhuron. Është ditë kur në si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë ndaj njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi”, ka thënë Tërnava.
“Në këto kushte, rënia e natalitetit është një alarm kombëtar. Shteti duhet të reagojë me shpejtësi të madhe, të mbështes familjet me politika pro natalitetit siç janë punësimi i të dy prindërve, lehtësimet ekonomike, mbështetësja për nënat shtatzëna, kujdesi për fëmije e tjetër. Shteti duhet të ketë strategji konkrete për ndihëm ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe sociale për këto familje dhe këta fëmijë. Çdo çifti që ka 4 a më shumë fëmijë, i propozoj qeverisë që t'ua dhurojë të gjithëve nga një banesë gratis”, ka shtuar ai.
E liderët politikë po ashtu kanë uruar besimtarët dhe kanë dhënë mesazhin për paqe e solidaritet.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kurban Bajrami është thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore.
“Kjo festë shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh”, ka thënë Osmani.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kjo festë “na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar festën e Kurban Bajramit duke thënë se sot, kur shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë për solidaritet dhe mirëbesim, duhet frymëzuar nga kjo festë për të qenë më pranë njëri-tjetrit dhe më të përkushtuar ndaj atdheut.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se kjo ditë rikujton edhe që përballë çdo sfide, padrejtësie apo dhembjeje, duhet të qëndrojnë më lart mëshira, afërsia, mirëkuptimi dhe falja.
“Sakrifica personale në emër të një të mire më të madhe. Uroj që këto vlera të na udhëheqin në familje, në shoqëri, në vendimmarrje dhe në jetën tonë të përditshme”, ka shtuar ai.
E deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, ka thënë se angazhimi i përbashkët duhet të jetë për shtetin e Kosovës.
“Kjo ditë e sakrificës, është kur duhet të gjendemi pranë atyre që janë në nevojë dhe kalojnë momente të vështira në vendin tonë. Po ashtu, angazhimin tonë do ta kujtojmë që ta kemi për shtetin e Kosovës, për ndërtimin e institucioneve të fuqishme, si shtet në ndërtim e sipër”, tha Tahiri në BIK.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke uruar reflektim e solidaritet.
“Kjo ditë e sakrificës, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit le të na shërbejë si reflektim e kujtesë për vlerat më të larta njerëzore, përkushtimin ndaj Krijuesit, dashurinë për njëri-tjetrin, dhe gatishmërinë për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Në këtë festë ju uroj shëndet, lumturi dhe begati; me besim që harmonia dhe mbarësia të jenë gjithnjë udhërrëfyes në shoqërinë tonë. Me fat, Kurban Bajramin”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Në vizitën që ka bërë në Bashkësinë Islame të Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar zhvillim e përparim për Kosovën.
“E patëm nderin sot të vijmë dhe të urojmë myftiun tonë dhe të gjithë kolegëve e besimtarëve shqiptarë myslimanë dhe gjithë kombit tonë festën e Kurban Bajramit. Festë që lidhet edhe me sakrificën, për t’iu qëndruar afër atyre që kanë nevojë. Është dëshmuar një solidaritet i madh dhe i ndërsjellë. Uroj të na çel Zoti rrugët si popull, sepse meritojmë zhvillim dhe të mirën e vendit”, tha ai.