Arbëri

Liberalizimi, nga një proces i politizuar në proces teknik

Dhjetë vjet pas nisjes së negociatave me Komisionin Evropian për liberalizimin e vizave, ende nuk ka qartësi se kur Kosova mund të futet brenda zonës Schengen. Përveç zotimit të shprehur në program që çështja e vizave të kthehet nga një proces i politizuar, në proces teknik- nuk ka qartësi për aktivitetet që mund të ndërmerren për t’i bindur vendet skeptike të BE-së

Dhjetë vjetët e mbushur me negociata e përpjekje nuk sollën liberalizimin e vizave për Kosovën. Pavarësisht konstatimit të Komisionit Evropian që nga 2018-a se janë përmbushur të gjitha kriteret të cilat dalin nga udhërrëfyesi, çështja ka ngecur te Këshilli i Ministrave i vendeve anëtare të BE-së. Kriter vazhdon të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të cilat Kosova nuk i ka bindur shtetet hezituese.

Përveç zotimit të shprehur në program, qeveria deri tash nuk ka shpalosur ndonjë strategji për finalizimin e këtij procesi. Në dokument shprehet synimi që çështja e liberalizimit të vizave të rikthehet nga një proces i politizuar, në proces teknik.

Në Zyrën e Kryeministrit e kanë sqaruar këtë formulim, duke mohuar se do të ketë kritere të tjera.

“Me këtë kemi nënkuptuar se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet t’i nënshtrohet të njëjtit trajtim e vlerësim sikurse vendet e tjera të rajonit, pra vlerësimit teknik e jo politik. BE-ja i ka ofruar Kosovës një udhërrëfyes për liberalizim të vizave, i cili kishte dyfish më shumë kritere sesa vendet e rajonit dhe Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, tash është koha që Këshilli i BE-së ta respektojë udhërrëfyesin, por edhe ta respektojë Komisionin Evropian e më e rëndësishmja t’i respektojë qytetarët e Kosovës të cilët padrejtësisht mbahen të izoluar”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi.

Ajo ka shtuar se mungesa e vendimmarrjes në Këshill të BE-së ka të bëjë me shtetet anëtare e aspak me përmbushjen e kritereve. Sipas tyre, janë marrë edhe veprime për t’i bindur shtetet hezituese që të mos mbajnë të bllokuar vendimin.

“Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave. Si rrjedhojë, Komisioni Evropian më 17 korrik 2018 ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendimin e Komisionit e ka mbështetur dhe votuar edhe Parlamenti Evropian, por është Këshilli i BE-së ai i cili po e mban të bllokuar vendimin. Mungesa e vendimmarrjes në Këshill të BE-së ka të bëjë me shtetet anëtare e aspak me përmbushjen e kritereve pasi përmbushjen e kritereve e vlerëson Komisioni Evropian, i cili tashmë çdo vit kërkon që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave”, ka thënë Kelmendi.

Franca dhe Holanda janë dy shtetet brenda BE-së që zakonisht përmenden si më skeptiket për liberalizimin e vizave për shkak të mungesës së rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Gjithsesi, Qeveria e Kosovës ka marrë veprime për t’i bindur shtetet hezituese që të mos mbajnë të bllokuar vendimin për liberalizim të vizave. Duhet ta theksojmë se edhe Franca edhe Holanda besojnë në vlerësimin e Komisionit Evropian si institucion i BE-së në lidhje me përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë.

Situata me Francën e Holandën e bën të paqartë krijimin e rrethanave kur Kosovës mund t’i hiqen vizat dhe sipas analistëve, kjo nuk pritet që të ndodhë gjatë presidencës franceze.

“Besoj që është shumë vështirë të kuptohet momentumi për shkak se Franca është prej vendeve më skeptike dhe është vendi i dytë më i madh në BE që ka mbetur dhe nëse ajo nuk bindet, vendet e tjera skeptike kushtimisht më të vogla, e përcjellin çka bën Franca. Nëse Franca është pozitive edhe ato është më lehtë të binden”, ka thënë analisti Dritëro Arifi. “Mendoj që momentumi nuk ekziston, sepse edhe në Bashkimin Evropian janë ato partitë e djathta kundër emigracionit dhe rrjedhimisht janë edhe kundër liberalizimit të vizave. Ato madje Kosovën e shohin edhe si vend islamik gjë që e bënë më të vështirë procesin”.

Ndërkaq, Demush Shasha nga Instituti Epik ka thënë se qytetarët janë ata që po i vuajnë më shumë pasojat.

“Nuk e kemi lexuar drejt momentumin historik që ka qenë më 2016. Ky vit nuk ka qenë thashetheme, ka qenë zyrtare dhe kemi qenë në momentum ku bashkë me Gjeorgjinë dhe Ukrainën patjetër do të kishte ndodhur liberalizimi i vizave. Pas atij momentumi rrethanat vetëm kanë shkuar duke u komplikuar. Në vend që përgjatë kësaj kohe t’i fuqizojmë argumentet tona në fushën e synimit të ligjit, ne degraduam edhe më tutje në sundimin e ligjit në Kosovë, rastet si ‘pronto’, ‘fajdet’”, ka thënë ai.

Lufta kundër korrupsionit është në një fazë të hershme, gjë të cilën e përsërit edhe Komisioni Evropian në raportet e përvitshme për Kosovën.

Mekanizmi “track record” për liberalizimin e vizave, i krijuar më 2015 për të monitoruar dhe koordinuar rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar ka përfshirë 78 raste deri në shtator 2021. Kanë qenë 65 aktakuza - 27 raste kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe 38 raste të tjera me korrupsionin. 23 raste kanë përfunduar me vendime gjyqësore të formës së prerë, nga të cilat 13 përfunduan pjesërisht me vendim dënuese, duke çuar në dënimin e 21 personave për vepra të lidhura me korrupsionin dhe 4 individë për vepra penale të lidhura me krimin e organizuar.

Në vitin 2014, kur opozita kundërshtonte marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, që përbënte njërin prej kritereve ku Kosova nuk u përfshi bashkë me Ukrainën e Gjeorgjinë. Tre vjet më vonë, Kosova e votoi marrëveshjen e njëjtë nga njeriu që i printe kundërshtimit të marrëveshjes, ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar të vitit 2012. Për të dëshmuar seriozitet në këtë proces, Qeveria e Kosovës njëanshëm kishte filluar t’i zbatojë kriteret e udhërrëfyesit prej vitit 2009. Komisioni Evropian dha rekomandimin në qershor dhe i njëjti u votua në Parlamentin Evropian, por çështja ka ngecur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kosova ka kaluar periudhën më të gjatë në rajon me çështjen e vizave. Shqipërisë e Bosnjës u janë dashur nga tre vjet, ndërsa Maqedonisë, Malit të Zi e Serbisë nga dy vjet për t’u futur në zonën “Schengen”.

Diplomatë nga Brukseli shumë herë kanë tërhequr vërejtjen se procesi i përfshirjes së Kosovës në listën e Schengenit, ka edhe pengesa të tjera.