Banorë të fshatit Letnicë në Viti ankohen se përballen përditë me mungesë të infrastrukturës dhe të shërbimeve bazë. Ata thonë se shkaku i rrugëve të paasfaltuara, ujit të papijshëm, kanalizimit dhe mungesës së investimeve, Letnica po shndërrohet nga një destinacion turistik, në fshat nga i cili banorët gradualisht po largohen
Janë të shumtë turistët që e vizitojnë fshatin Letnicë të Vitisë për t’i parë vendet historike dhe bukuritë natyrore të tij, porse vendësit ankohen se përballen përditë me kushte jo të mira jetese.
Për këtë shkak banorët thonë se Letnica po shndërrohet gradualisht nga një vend turistik, në fshat që po braktiset.
Kryetari i fshatit, Shin Gjoni, thotë se largimi i banorëve ndodh si pasojë e papunësisë dhe e mungesës së kushteve elementare për jetesë.
“Ka nis me u reduktu numri, papunësi, t’u gjetë punë nëpër mërgim, ka kanë mujtë kanë dalë se pak problem për ekzistencë. Papunësi e madhe këtu. Na kemi shumë probleme këtu…problem është asfaltimi i rrugëve, siç e patë është krejt baltë, rregullimi i lumit, rrethoja e shkollës, rregullimi i shkollës, kanalizim nuk ka, ujë kemi por është i papijshëm se nuk ka filtër që e filtron ujin për me bo të pijshëm, faturat vijnë”, ka thënë Gjoni.
Ai ankohet se vlerat historike e fetare të fshatit nuk po shoqërohen me investime.
“... është Kisha e Zojës këtu, Nënë Tereza këtu e ka marrë bekimin kur ka shkuar si motër nderi që e njeh krejt bota, mësuesi i parë shqip e ka varrin këtu Dom Miken Tarabulluzi, sepse ai ka qenë edhe prift e edhe mësues. Vend turistik edhe ka shumë vizitorë. Me investu në fshat, në rrugë, kanalizime, rregullimin e lumit, filtrimin e ujit, rrethoja e shkollës, ndriçimi”, ka thënë ai.
Para luftës, në këtë fshat kanë jetuar rreth 3 mijë banorë, kryesisht të komunitetit kroat. Shumica e tyre janë larguar, për të mbetur aktualisht vetëm 15.
Njëri prej atyre që u detyrua të largohet është Jakim Limani, që shprehet i zhgënjyer se komuna nuk u jep përgjigje kërkesave të banorëve për investime.
“25 vjet lufta u krye, nuk ka kushte me jetu këtu, kushtet janë kryesore. Shkolla d.m.th., ambulantë nuk ka, nuk ka kurgjo edhe patjetër jam detyru me dalë jashtë. Me u anku po ankohemi po për besë punë jo, premtime japin, punë jo. Një ujë me ra turbullohet uji, s’ka ujë të pijshëm e as kurgjo”, është shprehur Limani.
E zëvendësdrejtori i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, thotë se në Letnicë janë bërë disa investime, porse shton që pengesë paraqesin obligimet financiare të dala nga kontrata kolektive.
“Por duhet ta kemi parasysh që tri viteve të fundit jemi duke u ballafaqu me…. Jo vetëm në si Viti por krejt komunat në Kosovë me kontratën kolektive. Komuna e Vitisë tash i ka 8,061,570 euro që janë marrë nga kontrata kolektive, këtu është ajo pengesa që na ka pengu në disa rrugë të cilat ata banorë i kanë kërku e na nuk kemi mujt me i shtru”, ka deklaruar Aliu.
Ndërtime të vjetra, përfshirë Mullirin e fshatit dhe Kishën me mbi 500 vjet histori, e prej të cilës, sipas rrëfimeve të banorëve, Nënë Tereza e nisi misionin e saj si murgeshë, janë disa prej karakteristikave historike të Letnicës.
Në këtë fshat, bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë më 2024, deri atëherë kanë jetuar 168 banorë.