Vendimet e publikuara të premten nga Gjykata Kushtetuese për shfuqizimin e 13 ligjeve, sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, do ta kthejnë Kosovën së paku 2 vjet prapa. Përveç këtyre ligjeve, legjislaturës së tetë për katër vjet mandat iu shfuqizuan edhe 9 të tjera, 4 në tërësi e 5 pjesërisht. Kësisoj, për kah numri i ligjeve të rrëzuara, kjo përbërje Kuvendi ka shënuar rekord
Legjislatura e tetë e Kuvendit ka miratuar më së shumti ligje, por ka shënuar rekord edhe për antikushtetutshmëri.
Nga 2021-ta deri më 2025-tën, përgjatë 4 vjetëve mandat të kësaj legjislature në të cilën shumicën e ka bërë Vetëvendosja, në Gjykatën Kushtetuese u atakuan 46 ligje.
E, që nga themelimi i kësaj gjykate deri në vitin 2020, aty ishin kontestuar gjithsej 17 ligje, të dy legjislaturave bashkërisht.
Legjislaturës së tetë, iu shfuqizuan tërësisht 17 ligje e pjesërisht nenet e 5 ligjeve.
Nga to, vetëm të premten Gjykata ia shfuqizoi 13 ligje, Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe 12 të tjerat për shkak të shkeljes së procedurave gjatë miratimit të tyre.
Të gjitha këto ishin miratuar në seancën e fundit të legjislaturës, më 5 dhjetor të 2024-tës, pa prezencën e opozitës.
Monitoruesi i punës së Kuvendit në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë se deputetët nuk u janë qasur përmbajtjesisht ligjeve, por kanë punuar si makinë votash.
“Legjislatura e tetë do të mbahet mend si legjislatura që ka prodhuar më së shumti antikushtetutshmëri dhe antiligjshmëri sa i përket procesit të vendimmarrjes nga ana e Kuvendit të Kosovës. Seanca e 5 dhjetorit është dëshmia më e madhe ku në mënyrë sistematike dhe masive Kushtetuta është shkelur”, ka thënë Jakaj.
Kjo legjislaturë e ka përmbyllur mandatin qe një vit.
Jakaj thotë se me vendimet e marra nga ajo, janë lënë pasoja që e kthejnë Kosovën gati dy vjet prapa.
“Kemi të bëjmë me ligje të cilat e rregullojnë jetën e përditshme të secilit qytetar të Republikës së Kosovës. Të përmendim ligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, Ligjin për lojërat mesdhetare, Ligjin për banimin social dhe të përballueshëm. Kjo, Kosovën përveç se do ta kthejë një vit e ca muaj prapa, do të kemi edhe disa muaj të tjerë derisa Qeveria t’i miratojë dhe t’i përcjellë ato në Kuvend të Kosovës”, ka thënë ai.
Pos ligjeve të shfuqizuara e atyre që Gjykata ua ka dhënë dritën e gjelbër për dekretim, në shqyrtim për kushtetutshmëri janë edhe disa të tjera.
Krahas shkeljeve kushtetuese, legjislatura e tetë ka miratuar më së shumti ligje nga të gjitha përbërjet e Kuvendit deri më tash, gjithsej 282 sosh.