Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e mbështesin përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes e cila udhëhiqet nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Abdixhiku mes tjerash ka deklaruar se kjo tejkalon çdo lajm ditor pasi çdo hap i përbashkët me SHBA-në e forcon sigurinë e Kosovës.
“Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj. Në një botë gjithnjë e më fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Kryetari i LDK-së tutje ka thënë se sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare me të cilat mburremi të gjithë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitullin e ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.
Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump në një ceremoni që është mbajtur të enjten në Davos të Zvicrës.
Para nënshkrimit, Osmani ia ka zgjatur dorën Trumpit dhe kanë shkëmbyer disa fjalë.
Osmani pas ceremonisë ka reaguar me një foto bashkë me Trumpin, duke shkruar: “Sepse aleanca me Amerikën është rruga e vetme!”.
Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.