Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja kërkon dorëheqjen e Nagavcit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti se e ka shkelur disa herë Kushtetutën në vitin e parë të qeverisjes. Kjo parti ka kërkuar dorëheqjen e ministres Arbërie Nagavci pas vendimit të së premtes së Gjykatës Kushtetuese, me të cilën u rrëzua vendimi i Ministrisë së Arsimit për të riorganizuar mësimin në Komunën e Kamenicës.

“Kushtetuta është akti më i lartë juridik e politik i këtij vendi. Prandaj të gjithë ne duhet që me vendosmëri e pa kompromis ta mbrojmë kushtetutën e vendit. E atë duhet ta mbrojmë sidomos kur shkelet nga pushteti. Qeveria Kurti në këtë një vit ka arritur që ta shkelë disa herë kushtetutën e Kosovës. Rasti i parë ishte me këshillin e pavarur të shërbyesve civile, e rasti më i freskët është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ku është vlerësuar se është shkelur kushtetuta nga MASHTI”, ka thënë Tahiri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ashtu siç e keni parë Gjykata Kushtetuese ka shpallur jokushtetues vendimin për riorganizimin e shkollave në Kamenicë që është marrë nga ministrja Nagavci. Ky vendim tregon që MASHTI ka shkelur Kushtetutën duke kaluar kompetencat e saj e duke u përzier në kompetenca komunale. Ky vendim tregon që qeveria aktuale e ka përdorur arsimin për arsye elektorale”, ka thënë Lushaku.

Në vendimin e së premtes, Kushtetuesja ka theksuar se Ministria përmes vendimit ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetjake të Komunës së Kamenicës, përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore.

Dorëheqjen e Nagavcit e ka kërkuar edhe ish-kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati. Ndërkaq, në një reagim të premten në mbrëmje Nagavci ka thënë se do ta analizojë vendimin e Kushtetueses.