Arbëri

LDK-ja del me deklaratë politike

LDK

Foto: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvendin e saj të punës, në të cilin konfirmoi qëndrimin e Lumir Abdixhikut si kryetar të partisë, ka miratuar edhe një deklaratë politike përmes së cilës ka përcaktuar orientimet kryesore reformuese, organizative dhe programore.

Deklarata pesëpikëshe përfshin riorganizimin e plotë të strukturës organizative në të gjitha nivelet. Në këtë pikë përmendet që LDK-ja brenda 100 ditësh duhet të hartojë dhe ta finalizojë një Platformë politike dhe organizative mbi modelin e ri. Një nga pikat aty është që asnjë anëtar i LDK-së nuk duhet të mbajë më shumë se një funksion partiak.

“Kjo platformë duhet të parashohë ristrukturimin e degëve sipas modeleve funksionale, me nëndegë aktive dhe operative, me përgjegjësi të qarta dhe mekanizma matës të performancës politike dhe organizative. Kuvendi autorizon Kryesinë e LDK-së për formimin e Komisionit për plotësim ndryshimin e Statutit të LDK-së. 1.5. Kuvendi riafirmon parimin se asnjë anëtar i LDK-së nuk duhet të mbajë më shumë se një funksion partiak, me përjashtim të funksioneve që burojnë nga zgjedhja ose emërimi në shërbim institucional të Republikës së Kosovës, me qëllim ndarjen e qartë të përgjegjësive dhe shmangien e përqendrimit të pushtetit partiak”, thuhet në deklaratë.

Pika e dytë flet për respektimin e vendimmarrjes kolegjiale dhe disiplinës statutare. Aty kërkohet respektimi i plotë, i pakushtëzuar dhe i vazhdueshëm i vendimeve të kryesisë së partisë. Trajtim do të ketë edhe “çdo formë e individualizmit politik që cenon vendimmarrjen kolektive, unitetin organizativ dhe funksionimin e partisë”.

Pikë e tretë është riorganizimi i organeve qendrore. Aty përmendet formimi i disa organeve të reja.

“Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i kërkon Kryetarit të LDK-së formimin e një Kryesie të re statutare, e cila do të shërbejë si organi kryesor për marrjen e vendimeve politike dhe për drejtimin strategjik të partisë. Kuvendi e autorizon Kryetarin, që në konsultim me Nënkryetarët e LDK-së, të caktojë përbërjen e Kryesisë së re, brenda një afati sa më të shkurtër të mundshëm”, thuhet në këtë pikë.

Kuvendi i LDK-së ka kërkuar edhe forcimin e rolit dhe kompetencave të kolegjiumit të degëve. Është kërkuar edhe një Trup Qeverisës i Përfaqësimit Lokal i përbërë nga kryetarët e komunave dhe përfaqësues të koalicioneve qeverisëse lokale.

Është kërkuar edhe formimi i një Trupi Këshilldhënës i LDK-së i përbërë prej figurave me përvojë historike të LDK-së. Kjo trupë duhet të ketë rol pa kompetenca vendimmarrëse.

LDK-ja ka kërkuar edhe hartimin e një programi kombëtar politik “i cili e pozicionon qartë LDK-në si forcë qeverisëse, faktor stabiliteti institucional dhe bartëse të përgjegjësisë shtetërore”.

Nëpërmjet kësaj pike, Kuvendi i ka dhënë mbështetje e autorizim kryetarit për ta udhëhequr partinë “në të gjitha proceset shtetërore dhe politike në fazën e ardhshme institucionale, në përputhje me parimet programore, interesin publik dhe përgjegjësinë shtetërore të LDK-së”.

“Kryetari i LDK-së do të ndërtojë pozicionet politike të partisë në konsultim me organet legjitime partiake, ndërsa vendimet përfundimtare do të zbatohen në tërësi nga të gjitha strukturat e LDK-së”, thuhet në deklaratë.

Në fund është cekur se Kuvendi e konsideron këtë deklaratë si orientim obligues dhe se votëbesimi për Abdixhikun shënon fillimin e një “faze të re reformuese dhe konsoliduese për LDK-në, në shërbim të anëtarësisë, votuesve dhe Republikës së Kosovës”.

Lexo përditësimet tjera
LDK kuvend pune

LDK-ja vazhdon me Abdixhikun kryetar