Arbëri

LDK-ja bukoshiane

Foto: Koha / ilustrim

Nga dy fronte është sulmuar të premten mandatari për kryeministër të ri, Avdullah Hoti. Të pakënaqurit brenda Lidhjes Demokratike (LDK) me rrugën që ka marrë kjo parti, kanë “nxjerrë letrat” që dëshmojnë se Hoti kur e kishte nisur karrierën politike, e synonte dobësimin e këtij subjekti politik, ndërkaq kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tek e ka komentuar kandidaturën, ka theksuar se presidenti Hashim Thaçi e do një kryeministër të dobët.

Hoti kishte startuar në politikë, duke qenë pjesë e Partisë së Re të Kosovës (PReK), e themeluar pas lufte nga ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi. Bukoshi i mbështetur nga njerëz të besuar të tij patën themeluar subjekt politik më vete, pasi kishin lënduar raportet me presidentin Ibrahim Rugova, liderin historik të LDK-së. Për pasojë, nuk kishin një hapësirë në partinë që ua kishte dhënë besimin për të qeverisur nga Perëndimi, shkruan KOHA.

Hoti ishte pjesë e listës së kandidatëve të PReK-ut në zgjedhjet e 2004-s. Ndodhej i 78-i në listë, të cilën e kanë nxjerrë në publik aktivistë të pakënaqur të LDK-së, me përcaktimin e partisë pro një koalicioni me partitë e PAN-it që në mandatin e shkuar ishin në pushtet.

E i shtati ishte Besnik Mustafa. Është ky djalë i Isa Mustafës, kryetar prej një dekade i LDK-së dhe i cili ishte ministër i Financave në Qeverinë Bukoshi.

Në të njëjtën listë ishte edhe Flamur Gashi, vëllai i kryetarit të tashëm të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.