Arbëri

LDK: Bislimi s’ka mandat për të përfaqësuar Kosovën në dialog

Takim trepalësh në Bruksel bislimi sorensen petkoviq

Foto: Arkiv

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se Besnik Bislimi nuk ka mandat për ta përfaqësuar Kosovën në dialogun me Serbinë.

Bislimi të enjten është takuar me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, në Bruksel. Tani ka nisur takimi trepalësh me Petar Petkoviqin. Në një reagim në Facebook, LDK-ja ka thënë se vendimi i Qeverisë për ta dërguar Bislimin është i pajustifikuar dhe pa legjitimitet qytetar e institucional.

“Zgjedhjet e 9 shkurtit dhanë një mesazh të qartë nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky vullnet politik nuk i jep mandat z. Bislimit të përfaqësojë Kosovën në një proces kaq të rëndësishëm dhe vendimtar. Përfaqësimi në dialog mund të bazohet vetëm mbi institucione legjitime të dala nga zgjedhjet dhe të mbështetura nga sovrani”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK-ja ka thënë se dialogu është proces i ndjeshëm dhe s’mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, që s’e ka shumicën e nevojshme në Kuvend.

“Veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë ta cenojnë rrugën tonë euroatlantike. Kosova ka nevojë për përfaqësim të denjë, të fuqishëm dhe mbi të gjitha legjitim. Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri këtë parim, duke theksuar se dialogu nuk mund të udhëhiqet nga improvizime partiake të një qeverie pa mandat”, përfundon komunikata e LDK-së.

Vetëvendosje ka marrë mbi 40 për qind në zgjedhjet e 9 shkurtit. Megjithatë, Qeveria vazhdon të funksionojë në detyrë, për shkak të vonesave me konstituimin e Kuvendit.

Bislimi e quan “budallallëk” qëndrimin e LDK-së: Kam mandat nga Qeveria

1 o. më parë / 11 sht 2025 17:32
Besnik Bislimi

Kryenegociatori Besnik Bislimi i është përgjigjur Lidhjes Demokratike të Kosovës, që tha se ai nuk ka mandat për të përfaqësuar Kosovën në dialog.

Pas takimit me ndërmjetësin Peter Sorensen dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, Bislimi ka thënë se çdo qëndrim i LDK-së së fundmi “është i palogjikshëm”.

“Është pak interesant që ky budallallëk ka arritur edhe në Bruksel. Unë jam zv. kryeministër në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ngarkuar mes tjerash edhe për temën e dialogut. Mandatin ma ka dhënë qeveria e mundet të ma marrë qeveria. Nuk ma ka dhënë LDK-ja e s’mund të ma marrë. Gjithçka tjetër është e palogjikshme ngjashëm me shumicën e qëndrimeve të këtij subjekti politik e subjekteve tjera që po hasim në muajt e fundit”, ka thënë ai pas takimit.