Arbëri

Largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë bllokon sistemin e drejtësisë në veri

Mungesa e gjyqtarëve serbë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka ndikuar që të anulohen tetë seanca të caktuara për të mërkurën.

Largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë ka ngadalësuar punën në sistemin e drejtësisë.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, një numër i madh i lëndëve ka mbetur pa prokurorë.

“Më tepër ka shkaktuar probleme në trajtimin e lëndëve në Departamentin e përgjithshëm, pasi që ky departament ka mbetur tani vetëm me një prokuror. Mirëpo tani do të shikohet. Ne i jemi drejtuar Këshillit nëse është e nevojshme që të transferohen prokurorë nga Prokuroritë e tjera, me qëllim të mbarëvajtjes së punës”

Sipas Ujkanit, dorëheqje kanë dhënë 10 prokurorë dhe 23 zyrtarë të administratës.

Gjyqtarë dhe prokurorë nga komuniteti serb kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Gjyqësor dhe në atë Prokurorial, porse ato ende nuk janë aprovuar nga këto dy institucione.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dorëheqjet nuk janë trajtuar nga këto dy institucione, në mungesë të të gjithë emrave.

“Sa i përket KGJK-së, disa prej dorëheqjeve kanë mbërritur, disa jo, siç ka thënë kreu i KGJK-së, ata po bëjnë një analizë”.

Për gjyqtarët dhe prokurorëve serbë që dhanë dorëheqje, Haxhiu tha se nuk mund të rikthehen në punë.

“Personat të cilët dorëhiqen nuk mund të kthehen sërish në sistem. Pasi që është goditje për sistemin e drejtësisë që një prokuror apo gjyqtar të dorëhiqet për shkak të dirigjimeve që i bëhen nga Vuçiqi”.

Për situatën e krijuar pas dorëheqjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve në veri, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka takuar kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku dhe atë të Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj.

Sipas njoftimit të lëshuar për media pas takimit, tre udhëheqësit institucionalë u pajtuan që të ndërmerren sa më parë të gjitha masat e nevojshme për organizmin e procesit të punës, në pajtim me aktet ligjore në fuqi, ashtu që institucionet e drejtësisë të funksionojnë dhe të mos krijohet boshllëk në shërbime.