Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Largimi i Listës Serbe s’e pengon funksionimin e institucioneve, por shkel Kushtetutën

Deputetët dhe ministri i Qeverisë së Kosovës nga radhët e Listës Serbe që të shtunën vendosën për largim nga institucionet e Kosovës, ka më shumë se katër muaj që i kanë bojkotuar ato. Që nga fundi i qershorit e deri më tani deputetët e Listës Serbe nuk kanë marrë pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës, e ministri Goran Rakiq në mbledhjet e Qeverisë

“Lista Serbe është në Beograd...”, kësisoj qe deklaruar në një rast kryeparlamentari i Kosovës, kur përfaqësues të grupit parlamentar të Listës Serbe munguan në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e saj, që të shtunën u deklaruan për largim nga institucionet e Kosovës, ka rreth katër muaj që i bojkotojnë ato. E neni 70 i Kushtetutës së Kosovë parasheh që mandati i një deputeti të pushohet në rast se ai nuk merr pjesë në punime për gjashtë muaj radhazi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në rastin aktual të tërheqjes së deputetëve të Listës Serbe, Ligji për Zgjedhjet e parasheh zëvendësimin e tyre me personat që kanë mbetur jashtë listës zgjedhore të kësaj partie.

E në rast të ministrave të dorëhequr parashihet vazhdimi i ushtrimit të kësaj detyre nga zëvendësi.

Vendimi i udhëheqjes së Listës Serbe për tërheqje nga institucionet, sipas njohësve, nuk ndikon në funksionimin e tyre.

“Shpërndarja e Kuvendit është e përcaktuar me Kushtetutë, ku saktë përcaktohen kushtet se në çfarë situatash mund të vijë deri te shpërndarja. Pra, LS-ja e ka të pamundur një veprim të tillë. Kuvendi mund të konsiderohet jo aktiv nëse nuk ka shumicë të nevojshme për funksionimin e tij”, ka thënë Flamur Hyseni, profesor universitar i së drejtës.

Për profesorin universitar të së Drejtës, Flamur Hyseni, as dorëheqja e Rakiqit nuk ndikon në funksionimin e Qeverisë.

“Largimi nga Qeveria nuk e ndikon funksionimin e Qeverisë, sepse ka edhe zgjidhje tjera kushtetuese dhe përderisa nuk ka mocion mosbesimi të suksesshëm ndaj Qeverisë, atëherë Qeveria është në mandat kushtetues”, ka shtuar Hyseni.

E për profesorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, Rakiqi ka bërë shkelje të Kushtetutës duke u bërë rezistencë vendimeve të institucioneve të Kosovës, pjesë e së cilave ishte.

“Qeveria duhet të marrë guxim ta respektojë ligjin për të gjitha komunitetet dhe për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës, njësoj dhe baras”, ka thënë Arifi.

Vendimin për tërheqjen nga institucionet Lista Serbe e mori pas takimit të mbajtur në Zveçan.