Arbëri

Lansohet skema 1-milionëshe për prodhuesit e dalë në treg të hapur të energjisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se prodhuesit mund të përfitojnë deri në 25 mijë euro për sisteme solare dhe për intervenime që rrisin efiçiencën. Projekti përkrahet nga Qeveria e Luksemburgut. Ambasadori i këtij vendi në Kosovë, Eric Dietz, ka vlerësuar se masat e marra pos shpenzimit të energjisë do të ulin edhe ndotjen

Qeveria në detyrë ka lansuar skemën e granteve në vlerë 1 milion euro për ndërmarrjet prodhuese që kanë dalë në treg të hapur të energjisë. 

Ajo përkrahet nga Qeveria e Luksemburgut.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka treguar projektet që do të mbështeten me grante.

“Ndërmarrjet tona mund të përfitojnë deri në 25 mijë euro dhe madje për sisteme solare për të prodhuar energjinë elektrike ose për të ngrohur ujin, pastaj për bateri për ruajtjen e energjisë, mandej izolim të ndërtesave, dyer e dritare të reja efiçiente dhe pajisje të tjera, të cilat e rrisin efiçiencën e prodhimit”, ka thënë Kurti.

E, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se skema do të ndikojë në uljen e kostos së energjisë dhe të importit.

“Kjo skemë vjen në një moment kyç kur në Kosovë po zbatohet faza e dytë e liberalizimit të tregut ku mbi 700 kompani tashmë operojnë në treg të liberalizuar dhe kjo është mënyra jonë për të siguruar që ata që prekën më së shumti, pra bizneset prodhuese, që janë shtylla kryesore e ekonomisë, të kenë përkrahjen e duhur për të bërë investime që janë të dobishme për ta dhe për ekonominë e Kosovës”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, ka vlerësuar se masat e marra pos shpenzimit të energjisë do të ulin edhe ndotjen.

“Njerëzit në Kosovë kanë nevojë për punë të qëndrueshme. Nga këto përpjekje në gjithësi, Luksemburgu riafirmon angazhimin e tij afatgjatë për një tranzicion digjital dhe për sektorin privat”, ka thënë Dietz.

Skema e lansuar përfshin tri masa: atë për mbështetje të sistemeve të energjisë solare dhe sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike; mbështetjen për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve; si dhe mbështetjen për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.