Arbëri

Lajçaku kërkon zgjidhje urgjente për targat, BE-ja e interesuar për një takim Kurti-Vuçiq

Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmërinë për të organizuar një takim të nivelit të lartë Kosovë-Serbi, pas tensioneve të krijuara në veri.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se kjo çfarë ka ndodhur në veri është situata më e rëndë që nga viti 2013. Ai tha se BE-ja është e interesuar të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje.

“Ne nuk mund ta përballojmë situatën aktuale, një nga krizat më të rënda që nga viti 2013. Përfaqësuesi i lartë e ka thënë shumë qartë se çfarë presim nga të dyja palët dhe çfarë po bëjmë për t’u ndihmuar të gjejnë një zgjidhje evropiane nga situata. Nuk do të hyj në detaje të të gjitha përpjekjeve që po bëhen në të gjitha nivelet e ndryshme, duke përfshirë edhe nivelin e lartë. Përfaqësuesi i lartë ka folur të premten e kaluar në Paris si me kryeministrin Kurti ashtu edhe me presidentin Vuçiq. Ka angazhime të vazhdueshme nga përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak”, tha Stano.

Stano tha se palët e përfshira kanë përgjegjësi për të gjetur një rrugëdalje.

Situata në veri dhe çështja e targave është diskutuar edhe në takimin e kryenegociatorit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Lajçaku ka theksuar nevojën urgjente për të gjetur një zgjidhje për situatën në atë pjesë.

“Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi sot po diskutojmë për krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në veçanti për çështjen e targave. Ne kemi nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në terren. Çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Situata në veri është tensionuar pas braktisjes së institucioneve nga serbët e kësaj pjese, në shenjë proteste ndaj përcaktimit të Qeverisë për të zbatuar vendimin që kërkon konvertimin e targave ilegale në ato RKS.