Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të shtunën ka takuar sërish kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Lajçak deklaroi se në Prishtinë ka ardhur pikërisht për propozimin franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë-Serbi pa njohje reciproke, por se çka u diskutua për të nuk u bë e ditur as nga ai e as nga Qeveria. Lajçak e Kurti kanë thënë se kanë diskutuar edhe për afatin për konvertimin e targave në RKS, por edhe për draftin gjerman për Asociacionin e komunave me shumicë serbe
Për Bashkimin Evropian epilogu i dialogut me apo pa njohje reciproke është në duart e Kosovës dhe Serbisë. Ky është mesazhi që ndërmjetësi i këtij procesi, Miroslav Lajçak, e ka dhënë të shtunën në Prishtinë, ku u kthye fiks një javë pas takimit të fundit që pati me krerët e shtetit. Kaq shpesh në Kosovë, Lajçaku ka thënë se e kanë sjellë zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut.
Propozimi gjermano-francez për një marrëveshje Kosovë-Serbi pa njohje reciproke, ka qenë arsyeja që ai ia ka kushtuar këtë vizitë kryeministrit Kurti. Për këtë propozim – për të cilin, siç është raportuar, marrëveshja përfshin pajtimin e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE – Lajçak ka thënë se pati diskutim konstruktiv me kryeministrin Kurti, por nuk ka dhënë më shumë hollësi. E kur u pyet nëse marrëveshja përfundimtare duhet apo do ta përfshijë njohjen reciproke, ndërmjetësi i dialogut ka thënë se nuk i takon atij të vendosë.
“Kjo është diçka për të cilën duhet të vendosin Kosova dhe Serbia dhe nuk më mbetet mua të vendos në emrin tuaj”, ka thënë Lajçak.
Kryeministria falënderon Lajçakun, përsërit “njohjen reciproke në qendër”
Për këtë takim një komunikatë e lëshoi edhe Zyra e Kryeministrit, por pa dhënë detaje. Aty falënderohet Lajçaku për angazhimin që ka për marrëveshjen me njohje reciproke, ani pse emisari i BE-së ka thënë diçka tjetër.
“Mbarëvajtja e procesit të dialogut, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zbatimi i plotë dhe i shpejtë i Udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, ishin temat kryesore të diskutimit. Kryeministri Kurti e falënderoi z. Lajçak për angazhimin e tij në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Në adresimin e tij para mediave, pas takimit me Kurtin, Lajçaku ka folur edhe për kërkesën amerikane për shtyrjen e afatit të konvertimit të targave në RKS, të cilën tashmë e mbështet edhe BE-ja. Për të, Lajçak nuk u deklarua të ketë marrë ndonjë pajtim nga kryeministri. Mirëpo ka shtuar se bashkë me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duan ta shfrytëzojnë momentumin për t’u siguruar se ka progres në procesin e normalizimit dhe të shmangen tensionet e mundshme. E, për t’ia bërë më të lehtë kryeministrit që të vendosë, ai ka dhënë një arsye se pse Kosova duhet të jetë në linjë me kërkesën amerikane, e tash edhe evropiane.
“Ne jemi në proces të diskutimit dhe u takon kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës që të vendosin. Ne jemi duke u munduar të ndihmojmë, por, siç thashë, është e rëndësishme që të mos ketë ndonjë tension apo dhunë. Është në interes të Kosovës, veçanërisht në këtë kohë kur janë duke u zhvilluar procese të rëndësishme; si diskutimi për liberalizim të vizave e anëtarësimi në Këshillin e Evropës, gjëja e fundit që i duhet Kosovës është dhuna”, ka shtuar ai.
“Drafti gjerman” për asociacion, s’është qëndrim i BE-së
Ditëve të fundit nëpër media ka qarkulluar edhe një propozim për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë me titullin “Drafti gjerman”. Në të Asociacioni cilësohet si entitet i ligjshëm i krijuar në vijë me Marrëveshjen e parë dhe Kushtetutën e Kosovës. Mes të tjerash ky draft parasheh që Asociacioni do t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi. Lajçak u deklarua edhe për këtë draft, i cili ka thënë se nuk e paraqet qëndrimin e BE-së.
“Faktikisht për këtë draft kam mësuar nga mediat e juaja, nuk kam qenë i informuar për të, më përpara nuk ka qenë i ndarë me ne dhe në rregull kushdo të draftojë dokumente të tilla është i mirëseardhur, por ne nuk i kemi kërkuar askujt ta bëjë atë në emrin tonë dhe e konsiderojmë si një prej shumë dokumenteve që prodhojnë organizatat joqeveritare dhe think tanks. Kjo është komplet e ndarë nga procesi ynë për normalizim të marrëdhënieve dhe dialogu”, ka theksuar ai.
Vizita e Lajçakut në Kosovë ka ardhur tri ditë pas vizitës qëeEmisari i SHBA-së, Gabriel Escobar, pati në Kosovë, ku shpalosi kërkesën për shtyrjen e implementimit të vendimit për konvertim të targave në RKS.
Tema e dialogut ka zënë vend edhe në një tjetër ngjarje, po të shtunën. Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se një marrëveshje midis Serbisë e Kosovës nuk duhet të jetë ndryshe vetëm se me njohje të ndërsjellë. Këtë deklaratë ajo e dha në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku i pranishëm ishte edhe Miroslav Lajçak.
“Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë vetëm njohja ndërmjet dy vendeve pa formulime të dykuptimshme. Është koha të shkruhet një histori e re, të hapet një kapitull i ri i paqes në mes marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Lini anash formulimet. Do t’iu lëmë kohë çështjeve të hapura që të mbyllen, nuk është vetëm për Kosovën dhe Serbinë, kjo vlen edhe për BE-në dhe Ballkanin në veçanti, kur e shohim çfarë po ndodh”, ka thënë ajo.