Bashkimi Evropian do të sigurohet që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të mos rrëshqasë në diskutime për ndarje apo shkëmbim territoresh. Kështu ka thënë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, i cili megjithatë nuk është i sigurt nëse palët do të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme. Në debatin online organizuar nga universiteti “Johns Hopkins” në Washington, Lajçak ka treguar pengesat në këtë drejtim.
“Kosova thotë se procesi duhet të zhvillohet dhe të përfundojë me njohje të plotë, ndërkaq Serbia pyet se çka përfiton nga ky proces. Në këtë mes, roli i BE-së nuk është vetëm për të mbajtur shënime. Marrëveshja duhet të jetë e pranueshme për vendet e BE-së dhe rajonin. S’do të ketë marrëveshje lëre ose mere, pra me imponim, por do të sigurohemi që teksti mbi të cilin vihen nënshkrimet të jetë në përputhje me vlerat e BE-së”, ka thënë ai.
Siç ka shtuar ai, deri më tani Kosova dhe Serbia janë pajtuar për të pagjeturit dhe të zhvendosurit, teksa negociatat po vazhdojnë për çështjet financiare dhe ato pronësore, raporton KOHA.
Lajcak ka folur edhe për rëndësinë e rikthimit të bashkëpunimit mes BE-së dhe ShBA-së.
“Ka pasur pikëpyetje dy vitet e fundit rreth qasjes amerikane, por me administratën e re shpresojmë të rikthehen standardet që i sjellin përfitime Ballkanit Perëndimor. Kur vizitova rajonin iu thashë palëve, pse po e vendosni vetën në pozitën kur duhet zgjedhur- BE-ja apo SHBA-ja. Nuk duhet të ndodhë kjo. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për bashkëpunim”, ka deklaruar Lajçaku.
Sa i përket njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, sipas diplomatit evropian, kjo do të varet nga epilogu që do të marrë dialogu me Serbinë.
Për aktakuzat ndaj presidentit Thaçi dhe të tjerëve, Lajçak ka thënë se ato nuk kanë ndikuar në dialog, ngase procesi udhëhiqet prej Qeverisë.