Banorët e fshatit Hade të zhvendosur në lagjen “Hadja e re” po ankohen për mungesë të infrastrukturës në këtë lagje. Thonë se shtëpitë që filluan t’i ndërtonin iu kanë mbetur në gjysmë, shkaku i mungesës së rrymës. Kanë kërkuar nga autoritetet intervenim, pasi çdo ditë vonesë, sipas tyre, po u kushton, shkaku që jetojnë me qira
Ruzhdi Mirenës, banor i fshatit Hade të Obiliqit, zhvendosja në shtëpinë e re në lagjen “Hadja e re” në Shkabaj nuk po i shkon ashtu siç kishte planifikuar. Ndërtimi i shtëpisë së re ka ngecur. Shkak për këtë, sipas tij, është mungesa e infrastrukturës në lagjen e re, që u zhvendosën pas marrëveshjes me KEK-un.
“Problemin kryesor e kemi infrastrukturën, ne kemi filluar ndërtimin, por infrastruktura nuk është rregulluar. Ne jemi pajisur me dokumentacion, ku aty përfshihet uji, rryma, kanalizimet, por këto të gjitha mungojnë”, thotë Mirena.
Mirena shton se ka nëntë muaj që po banon me qira dhe se pagesën e kësaj qiraje, sipas tij, nuk e ka marrë përsipër KEK-u, ashtu siç parasheh Korniza për zhvendosjen e banorëve.
“Edhe pse në bazë të marrëveshjes kornizë për zhvendosjen e banorëve ceket shumë mirë që prej datës së marrjes së lejes së ndërtimit, banori duhet të shkojë me qira për gjashtë muaj, këta as qira, as kurgjo, kush nuk interesohet për ne, po e sheh vet këtu gjendjen, rruga pa ndërtuar, kanalizimi, rryma, uji të gjitha mungojnë, a na jemi pajisur me dokumentacione”, thekson ai.
Me të njëjtin hall po përballen edhe banorë të tjerë të kësaj lagjeje. Rrugë të paasfaltuar, e edhe telat e tensionit të lartë janë një tjetër shqetësim për ta.
Gani Grajqevci në prill është pajisur me leje për ndërtim. Por thotë se ndërtimi ka mbetur në gjysmë.
“Para vitit të ri kemi filluar me zhvendosje, por në prill e kemi marrë dokumentacionin që mundemi me fillu me ndërtuar. Kur jemi ardhur për të ndërtuar këtu infrastruktura komplet mungon, edhe pse ne jemi të pajisur me leje të ndërtimit, me kushte të ndërtimit, deri në këtë pjesë tash kemi punuar me gjenerator edhe pse neve na ka kushtuar, por këtu e këndej nuk mundemi me punu, për shkak se gjeneratori po ua dëmton mjetet mjeshtërve”, ka theksuar ai.
Grajqevci është ende duke jetuar në shtëpinë e tij në Hade, nga e cila u zhvendos nga KEK-u. Por, thotë se jetesa atje është e bërë pothuajse e pamundur. Zhurma e ekskavatorëve që punojnë, sipas tij, dëgjohet në oborrin e në shtëpitë e tyre.
“Është pluhur, është ajo pjesa që secili punëtor që flet në mihje në ekskavator dëgjohet në oborr tonin. Kemi shkuar në KEK e në Komunë e në çdo vend me kërkuar ndihmë”.
E institucionet ia hedhin fajin njëra tjetrës, derisa askush nuk e merr përsipër përgjegjësinë për këtë.
“Kur shkojmë në KEK thonë Komuna, kur shkojmë në Komunë thonë në KEDS, e KEDS-i thotë na nuk jemi që zhvendosim, po zhvendos KEK-u për nevoja të veta, Komuna e bën infrastrukturën, kështu që ne jemi mbetur në mëshirën e fatit”, ka thënë Grajqevci.
Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Obiliqit, Naim Miftari, ka thënë për KOHËN se javën e kaluar kanë zhvilluar takime me KEDS-in për të gjetur një zgjidhje për këta banorë.
“Kemi pasur disa takime me përfaqësues të KEDS-it dhe po besoj që së shpejti kanë me ba një zgjidhje sa i përket rrymës, ndërsa të ujësjellësit vetëm se e kanë të kryer rrjetin dhe vetëm kanë me u kyç në ujësjellës, sepse është i shtrirë rrjeti aty”, ka theksuar ai.
Zhvendosja e banorëve të Hadës, shkaku i shpronësimeve për mihjen sipërfaqësore të KEK-ut, ishte përcjellë me protesta, zvarritje e ngecje të shumta.
Procesi u përcoll me pakënaqësi të mëdha nga ana e banorëve. Doli edhe përtej parashikimeve të KEK-ut për shpronësim.
Afro 20 milionë euro ka kushtuar shpronësimi i 52 hektarëve në Hade dhe Shipitullë, i cili ishte zvarritur për vite me radhë dhe ishte përcjellë me protesta e dyshime të shumta për keqpërdorim.
Përfundimin e këtij projekti e kishte konsideruar si suksesin e parë ish-Qeveria e Ramush Haradinajt, e cila në ditët e para të mandatit ishte përballë me protesta të banorëve, të cilët kishin kundërshtuar zhvendosjen, duke kërkuar vlerësime më të larta për pronat që kishin ndërtuar në atë pjesë. Por më pas ata ishin dakorduar që shpronësimi të bëhej në bazë të marrëveshjeve mes KEK-ut dhe pronarëve.
Shipitulla së bashku me Haden janë shpallur zona të interesit fillimisht në vitin 2004, për t’u rikonfirmuar edhe një herë në vitin 2009. Por më pas KEK-u kishte vendosur që të shmangte Haden dhe mihjen ta drejtonte drejt Shipitullës, e cila nuk kishte shumë shtëpi të ndërtuara. Megjithatë, nga viti 2010 e deri në vitin 2015 në këtë pjesë ishin ndërtuar rreth 200 shtëpi në mënyrë ilegale.
KEK-u pretendon se shumica e shtëpive janë ndërtuar pasi është marrë vendimi për shpronësim e kompensim. Një gjë të tillë e ka pohuar edhe ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, në diskutimin e Qeverisë për gjendjen energjetike në vend.
Ndërkohë, Qeveria në krye me Isa Mustafën kishte konstatuar se për të bërë shpronësimin e kësaj pjese nevojiten 5 milionë euro, por viteve të fundit banorët e fshatit kanë shumëfishuar ndërtimet pa leje. Ndërkohë Qeveria Haradinaj ka vlerësuar se vlera e shpronësimeve ka arritur në 20 milionë euro.
“Do të dëmtohemi materialisht, sepse ka pasur vonesa të mëdha dhe në vend që neve shpronësimi atje të na kushtojë rreth 5 milionë euro, tani për tani llogaritet se do t’i kushtojë KEK-ut rreth 15 ose 20 milionë euro, për arsye se janë lejuar ndërtime pa leje në atë pjesë të shumë shtëpive që s’jeton askush, por çështjet do të zgjidhen nga ata që merren me drejtësi dhe nga ne, nga procedurat ligjore, sepse jashtë tyre nuk mund të veprojmë”, ka thënë ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Por, pasardhësi i tij, Ramush Haradinaj, kishte vendosur të aplikonte modelin e mëhershëm të shpronësimit të një pjese të fshatit Hade si zgjidhje për shqetësimet e banorëve të Shipitullës, dhe pjesës së mbetur të Hades, me të cilët për dy ditë zhvilloi biseda intensive në Obiliq dhe Prishtinë.
Por jo më larg se në dhjetor të vitit 2016 një raport hetues i Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore e kishte nxjerrë të dështuar procesin e zhvendosjes së banorëve të Hades, që kishte nisur më 2005. Aty theksohej se banorëve u janë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe të pariparueshme gjatë zhvendosjes për t’iu hapur rrugë mihjeve për termocentralin e propozuar “Kosova e Re”.
Paneli i inspektimit tash kishte ardhur për të hulumtuar gjendjen në terren, ku vërtetonte ankesat e banorëve për dëmet e konsiderueshme të shkaktuara gjatë zhvendosjes.
Një ari tokë është shpronësuar me 500 euro, një ari truall me 2.300 euro, kurse vlera e një metri katror të shtëpisë ka qenë 350 euro. Por aplikimi i kësaj marrëveshjeje do të mund të tejkalojë shifrën prej 20 milionë eurosh, të cilin e kishte parashikuar ish-Qeveria Mustafa.