Banorë në disa pjesë qendrore të Lipjanit kanë thënë se do të detyrohen t’i shesin shtëpitë, në mungesë të infrastrukturës. Në lagje të tyre nuk është shtrirë rrjeti i ujësjellësit, e nuk janë asfaltuar as rrugët. Krahas kësaj, nuk ka ndreqim publik dhe kanë problem edhe me adresat, meqë mungojnë tabelat me emra të rrugëve e numra të shtëpive
Banorët e disa lagjeve përgjatë rrugës “Ganimete Tërbeshi” në Lipjan jetojnë pa infrastrukturë rrugore, ujësjellës e ndriçim publik. Ata kanë problem edhe me adresat, meqë mungojnë tabelat me emra të rrugëve e numra të shtëpive.
Projektet kanë mbetur pa u realizuar pasi që rrugët nëpër lagje figurojnë si prona private të personave të ndryshëm që janë marrë me shitblerje të tokave pas luftës.
Banorët kanë kërkuar nga Komuna zgjidhje të këtyre kontesteve, meqë vetë janë pajisur me leje për ndërtimin e shtëpive.
Lagjet prej vitesh janë të urbanizuara nga Komuna. Kjo figuron në dokumentet zyrtare dhe Planin Zhvillimor Komunal.
Banorët kanë adresuar disa kërkesa tek autoritetet komunale dhe kanë mbledhur edhe nënshkrime me synimin që t’u asfaltohen rrugët, por deri më tash nuk janë shqyrtuar ato. Të premten, ata kanë paralajmëruar protestë para objektit të Komunës për zgjidhjen e kontesteve pronësore për qëllim të shtrirjes së infrastrukturës rrugore.
Jonuz Shala, njëri nga banorët e lagjes, ka thënë se parcelat kur janë blerë pas luftës, shitësit u kanë thënë se rruga u takon atyre, ndërkohë Komuna nuk po i asfalton ato.
“Problemi i rrugës është më i madhi dhe nuk e dimë arsyen pse komuna nuk po e asfalton, ani pse rruga po figuron në emër të njerëzve që paslufte kanë bërë pazare për shitblerje të tokave. Ndërkaq e gjithë lagjja është ndërtuar me leje ndërtimore dhe secili ka paguar nga dy mijë euro, por tash askujt nuk i intereson”, është ankuar Shala.
Ai ka treguar se bashkë me banorë të tjerë ka pasur debate edhe me kryetarin e Komunës, por se deri më tash nuk i ka marrë parasysh kërkesat.
“Është turp të mos kryhet rruga në zemër të qytetit të Lipjanit. Kjo është zonë e urbanizuar. Unë nuk e di ku është ngecja. Ai mund të dijë prandaj i bëj apel kryetarit edhe pjesëve të tjera: le ta asfaltojnë rrugën sepse këtu ka të sëmurë e invalidë”, ka thënë ai. “E di, kryetari ka qenë, i ka vizituar invalidët. Me karroca kanë qenë”.
Ai ka thënë se kur janë blerë parcelat për pronat që qytetarët i kanë ndërtuar, shitësit e tyre kanë deklaruar se gjithçka është në rregull dhe se rrugët do të asfaltohen, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sipas Shalës, shumë banorë tashmë as nuk i njohin ish-pronarët e parcelave, pasi që shitja është bërë disa herë.
“Bash këtu pronari që e kam blerë parcelën më pati thënë se rruga është e trojeve, por tash po del e kundërta dhe Komuna nuk po i asfalton ato”, ka thënë ai.
Ndërkaq, banori tjetër afër kësaj lagjeje, Ramadan Hyseni, ka thënë se do ta shesë edhe shtëpinë shkaku i mungesës së infrastrukturës rrugore, mungesës së ujësjellësit, ndriçimit e infrastrukturës tjetër publike.
“Këtu nuk kemi as emra të rrugëve, as numra të shtëpive, as ujësjellës e as ndriçim. Nuk e di Komuna si e ka menduar ta lë pas dore këtë zonë të urbanizuar e pa asfalt. Arat e Ribarit, Torinës e krejt i ka shtruar në asfalt e neve këtu në Lipjan jo. A shkon kjo?”, ka thënë Hyseni. “Më mirë po e shes e po iki prej fjalëve, se sa t’i fus fëmijët në telashe. Fëmijët po më thonë pse ke hyrë, pse e ke blerë. Kam investuar 100 mijë euro këtu e tash duhet ta shes shtëpinë”.
Në Komunë kanë dhënë një arsye pse situata është e këtillë.
Hyra Bytyqi, zëdhënëse e Komunës së Lipjanit, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka thënë se Komuna e merr përgjegjësinë e asfaltimit të rrugëve në rastin kur banorët, përkatësisht pronarët e tokave, japin pëlqimin me shkrim për pronësinë private.
“Në rastin konkret bëhet fjalë për shitjen e pronave për ndërtim të shtëpive, për çka është destinuar rruga për banorët përkatës dhe për qëllime përfitimi ose qëllime biznesi. Disa pronarë të pronave kërkojnë, përveç ndërtimit, t’u paguhet edhe vlera e tokës, e cila është e destinuar për rrugë”, ka thënë ajo.
Zëdhënësja e Komunës ka dhënë një arsye edhe për lëshimin e lejeve të ndërtimit për shtëpitë, që tani kanë mbetur pa infrastrukturë.
“Lejet ndërtimore u janë lëshuar sepse ata kur kanë aplikuar për leje ndërtimi, kanë dorëzuar edhe planin e rrugës së ndarë me dokumentet gjeodezike”, ka thënë Bytyqi, e cila ka theksuar se zgjidhje e vetme mbetet që pronarët ta japin pëlqimin me shkrim për lëshimin e tokës, në të cilën duhet shtrirë infrastruktura rrugore.