Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë dy seanca plenare, një të rregullt e një të jashtëzakonshme.
Seanca e rregullt plenare pritet të nisë në orën 10:00. Në rend ditë në këtë seancë, përveç pikave të rregullta që janë deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare, deputetët pritet të votojnë edhe Propozim-Rezolutën për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.
Gjithashtu pritet të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.
Deputetët pritet të formojnë edhe Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.
Ndërsa në seancën e jashtëzakonshme pritet të zhvillohet një debat parlamentar lidhur “me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”.
Kjo seancë është thirrur me kërkesë të deputetëve të opozitës dhe javën e shkuar ka dështuar të mbahet në mungesë të kuorumit, pasi që deputetët e pushtetit nuk kanë marr pjesë.
Seanca plenare
Rendi i ditës
Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Pyetjet parlamentare,
Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,
Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.
Seancë e jashtëzakonshme
Rendi i ditës
1. Debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.