Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të premten në seancë plenare.
Sipas njoftimit, seanca pritet të nis në ora 10:00, ndërsa do të ketë edhe pyetje parlamentare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRendi i ditës:
1.Miratimi i rendit të ditës,
2.Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
3.Deklarimet jashtë rendit të ditës,
4.Pyetjet parlamentare,
5.Votimi i Projektligjit nr. 10/L-015 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës,
6.Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika,
7.Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-017 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën,
8.Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-018 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0,
9.Votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftë, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës si dhe stabiliteti ekonomik i vendit,
10.Zgjedhja e 1 (një) anëtari Joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës,
11.Shqyrtimi i “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”,
12.Propozimi i grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Sërish mospajtime për rezolutën e PDK-së, s’merren vesh se në cilën pikë ta trajtojnë
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar sërish që rezoluta për mbrojtjen e viktimave të luftës të votohet në këtë seancë si pikë e parë e rendit të ditës.
Ajo ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për kontributin në hartimin e tekstit të rezolutës, duke thënë se nuk ka çështje më të rëndësishme se kjo për votim.
“Sa kuptova tashme është arritur dakordim. Mirëpo ne insistojmë që kjo pikë të trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës. Sepse nuk ka çështje më të rëndësishme se kjo për trajtim. Nuk është turp as dobësi që shumica parlamentare ta pranojë një kërkesë të PDK-së”, ka thënë ajo.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se dy deputetë po punojnë në tekstin e rezolutës, duke shtuar se ajo mund të votohet sapo të përfundojë puna.
“Unë ju kisha lutur ta lëmë sipas rendit të ditës të propozuar tashmë dhe sapo ta kemi dakordimin final të rezolutës ta miratojmë atë”, ka thënë ajo.
Shefja e GP të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka kërkuar që para marrëveshjeve ndërkombëtare të votohet rezoluta për ngritjen e çmimeve të naftës.
“Përmbajtja e ligjeve është tepër e rëndësishme por nuk ka urgjencë të shihemi si makineri votimi e ligjeve që ju i sillni me urgjencë. Propozojmë që rezoluta jonë të dalë para marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka pyetur se ku qëndron problemi i Vetëvendosjes që sipas tij, nuk do ta vendosë si pikë të parë të rendit të ditës.
Ka shtuar se nuk e di se si do të merren vesh për presidentin kur nuk po arrijnë të merren vesh as për një rezolutë.
Rezoluta është vendosur në votim që të trajtohet para pyetjeve parlamentare por ka pasur mungesë kuorumi. Vetëm 52 deputetë kanë marrë pjesë në votim.
Opozita s’e miraton ndryshimin e rendit të ditës të propozuar nga LVV-ja
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që në rend dite në seancën plenare të futen tetë projektligje, në mesin e tyre ai për çmimet tavan, për lojërat mesdhetare, për banimin social, për sigurimet shëndetësore, e të tjerë.
Por, pa mbështetjen e partive të tjera opozitare këto projektligje nuk arritën të futeshin në rendin e ditës së premte, 10 prill.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se këto projektligje nuk janë urgjente për t’u shqyrtuar nga e premtja.
“PDK e konsideron se këto propozime nuk janë asnjë urgjente dhe si të tilla nuk e mbështet asnjë të trajtohet jashtë procedurave të rregullta. Kjo është vetëm tendencë për të krijuar agjendë të re të fushatës zgjedhore”, ka thënë ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka quajtur të paarsyeshme futjen në rend dite të këtyre projektligjeve.
“Projektligje që kanë kaluar këtë javë në komisione dhe po vinë për tu miratuar në procedurë të përshpejtuar. Temat janë tepër të rëndësishme por jo në periudhën për të cilën duhet të shqyrtohen, sepse kërkojnë të analizohen. Kjo urgjencë është e paarsyeshme dhe nuk do të përkrahet nga ne”, u shpreh ajo.
E, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, derisa ka thënë se po ashtu nuk mbështet ndryshimin e rendit të ditës, ka kërkuar që kjo të mos kthehet në praktikë parlamentare.
“Nuk ka logjikë të prishet rendi i ditës çdo seancë. Jo që nuk e mbështesim por kjo kërkoj të mos kthehet në praktikë parlamentare”.
Vetëm Grupi Parlamentar multietnik i dha mbështetje të gjitha projektligjeve.