Arbëri

Kuvendi ka tre vjet pa pajisje të votimit elektronik, shpresohet në donacion

Këtij problemi nuk i është dhënë zgjidhje as këtë vit ndonëse ka pasur linjë të veçantë buxhetore. Deputetët e opozitës e shoqëria civile lënë fajtor pushtetin. Ata vlerësojnë se mungesa e votimit elektronik përveç që zvarrit seancat, e cenon edhe transparencën dhe llogaridhënien e deputetëve karshi qytetarëve

Ka tre vjet që votimi elektronik në Kuvendin e Kosovës është tërësisht jashtë funksioni.

Edhe pse me buxhetin e vitit 2023 janë ndarë afër gjysmë milioni për blerjen e pajisjeve, Kuvendi as nuk ka hapur procedura për sigurimin e këtij sistemi.

Furnizimin me këto pajisje Legjislativi e ka lënë në mëshirën e donatorëve, iniciativa që deri më tash nuk kanë dhënë sukses. E fundit, ka qenë në maj kur nga kabineti i kryeparlamentarit ishte njoftuar se kanë pranuar konfirmimin për mbështetje nga Ambasada e Luksemburgut, por edhe pesë muaj pas nuk ka lëvizje në këtë drejtim.

Në një përgjigje për KOHËN nga Kuvendi kanë thënë se sërish janë në pritje të një donacioni, por se nuk e kanë përmendur shtetin.

“Tani është arritur marrëveshje me një vend mik për vendosjen e pajisjeve të reja për votim elektronik dhe zërim. Kuvendi është në pritje të zhvillimit të procedurave të brendshme nga ana e donatorit”, thuhet në përgjigje.

Për shkak të mungesës së votimit elektronik, votat e deputetëve pro ose kundër projektligjeve nuk publikohen askund, meqë Parlamenti nuk mban evidencë të tillë. Sipas përgjigjes së dhënë nga Kuvendi thuhet se “aktualisht regjistrohet vetëm rezultati i votimit, i konstatuar nga kryesuesi i seancës”.

Por, me Rregulloren e Kuvendit publikimi i votimit me dorë duhet të bëhet publik brenda dy ditë pune pas përfundimit të votimit në seancë plenare.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ferat Shala, ka thënë se ky është keqpërdorim i skajshëm i pushtetit, i cili sipas tij nuk dëshiron të lë gjurmë sa i përket punës parlamentare.

“Kemi një mostransparencë sepse mosfunksionimi i sistemit të IT-së në Kuvend është mostransparencë dhe mënyra e mbamendjes institucionale është vështirësuar për të mos thënë po keqpërdoret skajshmërisht. Mbamendja institucionale është shumë e rëndësishme dhe kjo mazhorancë mundohet të mos lë gjurmë në veprimet e keqmenaxhimit”, ka thënë Shala.

Edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka theksuar se mungesa e votimit në mënyrë elektronike po cenon transparencën e po mundëson manipulimin e publikut.

“Ju keni parë sa herë thonë që opozita nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare që nuk është e vërtetë, sepse ne si LDK i kemi votuar gjithnjë marrëveshjet ndërkombëtare. Ka qenë vetëm një, marrëveshja e OPEC-ut të cilën nuk e kemi votuar se i kemi pasur arsyet tona. Dhe, do të ishte mirë të ishte në mënyrë elektronike se do të shihej kush po voton e kush jo. Kjo është një jotransparencë që Kryetari i Kuvendit duhet sa më shpejtë ta ketë parasysh që sa më shpejt të rregullohen këto pajisje elektronike”, ka deklaruar ajo.

Në raport me transparencën parlamentare notë të dobët për Kuvendin ka edhe shoqëria civile. Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se është e papranueshme që qytetari të mos jetë i informuar saktësisht për votën që jep një deputet brenda Kuvendit, për të cilin ka votuar që të jetë përfaqësues i tij.

“Sa i përket votimit elektronik konsiderojmë se është një mungesë e thellë e transparencës, sa i përket mënyrës dhe votës që deputetët e japin për një projektligj të caktuar, kryesisht për projektligjet e rëndësishme. Sot për sot, shoqëria civile qytetarët nuk mund ta dinë se si një deputet ka votuar ta zëmë për Kodin Civil, për buxhetin vjetor, për marrëveshje ndërkombëtare që janë jetike dhe të rëndësishme për qytetarin e Kosovës”, ka theksuar Jakaj.

Me Rregulloren e Kuvendit, votimi elektronik zgjat 20 sekonda, përderisa ai me dorë i merr minuta të tërë administratës. Kjo sipas Jakajt e prolongon përmbylljen e rendit të ditës dhe shkakton grumbullimin e pikave të papërfunduara që pastaj barten nga seanca në seancë.

“Për IKD-në është e çuditshme se si Kuvendi për tre vjet radhazi nuk ka arritur ta tenderojë një projekt përmes të cilit, është edhe shumë e vogël, që ta funksionalizojë votimin elektronik. Si pasojë e mospasjes së votimit elektronik, ne kemi edhe mosefikasitet në kuptimin që votimi me dorë kërkon kohë më shumë, kërkon mund fizik më shumë të Administratës së Kuvendit dhe kjo po e prolongon dhe e zvarrit më tej procesin legjislativ në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Përveç, sistemit të votimit, pjesërisht nuk funksionojnë as pajisjet e diskutimit. Pajisjet aktuale që i ka Kuvendi janë 19 vjet të vjetra.