Ligji për Buxhetin e vitit 2024 ka marrë mbështetjen e 63 deputetëve, teksa ata të opozitës e lëshuan sallën në kohën kur ai u nxor për votim në orët e shtyra të mbrëmjes. Me ligjin e miratuar, buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro, për 100 milionë euro më i lartë sesa ai i këtij viti. Por para votimit të tij, në seancë pati përplasje mes deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës, të cilëve nuk u janë miratuar amendamentet e propozuara
Me 63 vota për është miratuar të enjten Ligji për Buxhetin e vitit 2024, i cili përcakton që buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro, për 100 milionë euro më i lartë sesa ai i këtij viti.
Në kohën e votimit të Ligjit, në seancë nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e opozitës, të cilët e braktisën sallën në shenjë pakënaqësie për mospërkrahjen e amendamenteve të propozuara prej tyre.
Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar deputetët për votën teksa ka theksuar se me buxhetin e vitit të ardhshëm forcohet mbrojtja, rritet siguria dhe nxitet punësimi në Kosovë.
“Me këtë buxhet të përgjithshëm prej mbi 3.3 miliardë euro, që është për 35 për qind më i lartë se buxheti që gjetëm në vitin tonë të parë të qeverisjes, po vazhdojmë që ta forcojmë mbrojtjen e Republikës, rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe ngrisim mirëqenien e qytetarëve në vend”, ka shkruar Kurti në Facebook.
E para nxjerrjes së Ligjit në votim, asnjë nga amendamentet e propozuara nga deputetët opozitarë nuk ka marrë përkrahje nga shumica. Ani se e pati përkrahjen e Komisionit për Buxhet, amendamenti i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Eman Rrahmani, i cili propozonte që koeficienti i pagës të jetë 115 dhe jo 110 euro, nuk është përkrahur nga bashkëpartiakët e tij. As tri propozimet e tjera për rritjen e koeficientit, ai i Partisë Demokratike (PDK) për rritjen në 135 euro, ai i Lidhjes Demokratike (LDK) 125 euro dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për 129 euro nuk morën përkrahje nga deputetët e shumicës parlamentare. Në seancën maratonike të së enjtes nuk morën përkrahjen as amendamentet e tjera, të propozuara nga opozita, kostoja e të cilave ishte rreth 570 milionë euro.
Seanca e së enjtes, e cila filloi me 50 minuta vonesë, u përshkua me kritika të shumta rreth ndarjeve buxhetore dhe mospërkrahjes së amendamenteve të opozitës.
Armend Muja, kryetari i Komisionit për buxhet, ka paraqitur para deputetëve raportin e Komisionit për amendamentet e propozuara nga deputetët e opozitës.
“Komisioni për buxhet i ka trajtuar të gjitha amendamentet e deputetëve nga komisionet e tjera. U rekomandojmë deputetëve që ky ligj të miratohet dhe seanca të vendosë për amendamentet e propozuara nga secili deputet”, ka thënë Muja.
E Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, ka thënë se pas disa ngjarjeve që kanë ndodhur, Qeveria është dashur që ta tërhiqte Ligjin për Buxhetin, si dhe ta kthente për një rialokim komplet tjetër, ose që Ligji të shkojë në lexim të tretë. Ajo pati vërejtje edhe për rezultatet e testit PISA, që e radhitën Kosovën mes shteteve të fundit në rangim.
“Më datën 5 dhjetor, Kosova pranoi rezultatet e testit PISA. Derisa në vitin 2018 kanë marrë pjesë 74 vende dhe është renditur e 72-ta, në testin PISA 2022 kanë marrë pjesë 80 vende dhe Kosova është renditur në vendin e 79”, ka thënë ajo. Bajrami ka shtuar se, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit, 33 për qind të shkollave dhe 77 për qind të paraleleve nuk përmbushin kushtet për të mbajtur mësim sipas kritereve dhe se, sipas saj, nuk ka asnjë hap për riorganizimin e tyre. Ajo ka përmendur edhe ndërprerjen e reformës në Kamenicë.
“Rezultatet e PISA-së është dashur që të jenë një kambanë për Qeverinë e Kosovës dhe është dashur që projektligji i buxhetit të tërhiqet nga Komisioni dhe të ketë rialokim tjetër. Është koha e fundit që arsimi të jetë prioritet kombëtar, është koha e fundit që Kosova të merret seriozisht me riorganizimin e rrjetit të shkollave. Për rreth 13 vjet numri i nxënësve ka rënë për 300 mijë, ndërkohë që ne ende vazhdojmë të ndërtojmë shkolla në disa zona rurale dhe kemi mungesë të klasave dhe shkollave në zona urbane”, ka theksuar Bajrami.
Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka thënë se Ligj për Buxhet është kthyer në një dokument të një partie politike e një kabineti qeverisës. Ai ka shprehur vërejtjen se deputetët nuk janë pyetur nga askush dhe se asnjë amendament i propozuar nuk është përfshirë në Ligj.
“Qeveria në emër të votës së deputetëve të saj përcakton dhe bën çka të dojë. Ky ligj i ka 64 amendamente dhe prej tyre asnjë nuk do të miratohet. Jemi duke folur për një dokument puro politik që shfrytëzon buxhetin për përfitime partiake në kurriz të këtyre deputetëve, për të shpërndarë ndihma dhe për dështimet e politikave qeverisëse që i kanë pasur gjatë këtyre tre vjetëve”, ka thënë Tahiri.
Ai ka ironizuar me vendimin e fundit të Qeverisë për shtesa prej 100 eurosh për fëmijë dhe pensionistë.
“Shfrytëzoj rastin t’ia uroj edhe Babadimrit vitin e ri, e ju rritë nera që na i ka dhënë nga 100 euro”, ka thënë Tahiri.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e ka kualifikuar si fatkeqësi që debatohet në kurriz të qytetarëve, të cilët “Qeveria Kurti për 11 muaj nuk është kujtuar që t’i ndihmojë”.
“Kjo qeveri do të mbahet mend vetëm për demagogji, për mungesë të transparencës, fshehje të hajnive dhe degradim të çdo institucioni. Qytetarët po e humbin çdo ditë interesimin për të jetuar në Kosovë. Qeveria Kurti nuk ka ditur të sjellë një projekt të madh që të zvogëlojë varfërinë në Kosovë. Ne ende kemi qytetarë që jetojnë me nga 45 euro në muaj”, ka thënë ai.
Sipas tij, asnjë investim kapital nuk është realizuar teksa marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë zbatuar qëllimisht.
Mospërkrahja e amendamenteve që kanë të bëjnë me sigurime shëndetësore dhe pensione të parakohshme të policëve ka nxitur reagim nga deputetët e PDK-së. Deputetja Ganimete Musliu ka kritikuar kolegët nga subjekti në pushtetit rreth mospërkrahjes së amendamentit të PDK-së për pensione të parakohshme të policëve. Ka theksuar se ndihet e turpëruar që është pjesë e Kuvendit, ndërsa pushtetin aktual e akuzoi për shkatërrimin e shtetit.
“Është turp kur i keni detyruar policinë e Kosovës të dalin në protesta dhe kundërshtoni një amendament bazik, elementar, i cili ka arsyeshmërinë në Kodin Buxhetor dhe ju për inate politike personale sot votoni kundër këtij amendamenti, turpi qoftë mbi ju. Jeni duke shkatërruar shtetin, prandaj kjo është e pafalshme. Turp është që në këtë Kuvend sot që vetëm 17 deputetë të votojnë pro ligjit të pensioneve të policisë. Turp”, ka thënë Musliu.
Nga ky amendament parashihej që të shtoheshin mbi 10 milionë euro për pagesa të pensionimit të parakohshëm të zyrtarëve policorë të Policisë dhe punonjësve të Inspektoratit Policor me autorizime policore.
E ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka potencuar rënien e fuqisë punëtore tek e ka prezantuar amendamentin për rritje të pensioneve në proporcion me rritjen e inflacionit. Ai ka theksuar se familjet në Kosovë janë varfëruar dhe se mbi 60 për qind e të ardhurave tani shkojnë për ushqim.
“Si rezultat, sot 10 për qind e familjeve janë dukshëm më të varfra se në vitin 2021. Po ashtu, për shkak të rënies së fuqisë blerëse, të të ardhurave të familjeve, sot familjet i shpenzojnë mbi 60 për qind të të ardhurave në ushqime, krahasuar me 38 për qind në vitin 2021. Tani shpenzojnë mbi 50 milionë euro ndihma të njëhershme, që nuk zgjidhin asnjë problem afatgjatë”, ka thënë Hoti.
Vendim i Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për pensionistë dhe fëmijë, sipas Hotit, është i vonshëm dhe jo i duhur për të zgjedhur problematikat afatgjata.
Rritje të pensionit bazik nga 100 në 120 euro ka kërkuar edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, porse propozimi i tij nuk e ka marrë përkrahjen e shumicës. Mbështetje nuk ka marrë as ish-deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli, i cili ka kërkuar që pensioni i veteranëve të UÇK-së të rritet nga 170 euro në 330 euro.