Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Miratohet Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

44 min. më parë / 23 pri 2026 13:08
Kuvendi i Kosoves

Photo: Driton Paçarada

Me 64 vota për Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. 
Kritika për Projektligjin ka shprehur deputetja PDK-së Blerta Deliu-Koda. 

Ajo ka thënë se Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se ky projektligj rrezikon paranë publike. “Është e çuditshme si po mundoheni ta eskivoni ... Është e padrejtë forma si neglizhoni amendamentet e deputetëve dhe se si nuk i respektoni kërkesat e BE-së që kërkon ruajtje të transparencës dhe llogaridhënës dhe parasë publike”, është shprehur Deliu-Koda.

Asaj i është përgjigjur kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu. 

Ajo ka thënë se është Kuvendi ai që përfaqëson interesat e qytetarëve dhe është përgjegjës për të vlerësuar dhe vendosur për këtë. 

“Ne i respektojmë partnerët tanë edhe Zyrën e BE-së në këtë rast, por nuk mund ta marrë më tepër parasysh një letër të Zyrës së BE-së, sesa vullnetin e qytetarëve të shprehur në Kuvend për mua kjo është e rëndësishme. E kam takuar përfaqësuesen e BE-së, i kam thënë nuk jemi në rrethana normale sepse nëse ky Kuvend nuk e zgjedh deri më 28 prill presidentin me automatizëm, shpërndahet. Paramendoni kur Kosova ka marrë përgjegjësi t’i organizojë dhe ne jemi shumë vonë”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ju ka kërkuar deputetëve, siç ka thënë të veprojnë me përgjegjësitë që i kanë.

“Partnerët janë partnerë por vendimin e merr ky Kuvend. Nëse dikush do që Kosova të dështojë në organizim të Lojërave Mesdhetare shumë gabim e ka. Ose ta zgjedhim presidentin dhe të ecim me çështje të tjera pa nguti”, ka theksuar Haxhiu.

Deliu-Kodra ka thënë se PDK-ja nuk është kundër zgjedhjeve. 

“Partia Demokratike nuk është kundër lojërave. Ngutia që të kalohen ligje duke shkelur rregulla e duke përmendur ju sot afatin për presidentin kjo nuk do të duhej t’i shkojë për shtati Kuvendit”, ka theksuar Deliu-Kodra. 

Asaj i është përgjigjur sërish Haxhiu. 

“Ju ftoj që të bëheni zëdhënës të qytetarëve dhe jo zëdhënës të Zyrës së BE-së sepse ata i kanë zëdhënësit e tyre”, ka theksuar Haxhiu.

Kuvendi ka miratuar edhe Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore.

Miratohet Projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor

1 o. më parë / 23 pri 2026 12:01
kuvend

Është miratuar në lexim të dytë Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. 80 vota ishin për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Uran Ismaili i PDK-së ka thënë se ka qenë e papranueshme që në Komisionin për Shëndetësi nuk ka qenë i ftuar ministri Arben Vitia.

“Mendoj që ky ligj është vonë dhe reforma në shëndetësi për sigurimet shëndetësore është shumë vonë. Mungesa e varfëron qytetarin çdo ditë. Dëshmi është sot QKUK që ka qindra qytetarë blejnë barna e materiale shpenzuese edhe pse janë në listë esenciale sepse mungojnë gjërat elementare. Sot jemi para një situate ku mund të shkojmë në zgjedhje dhe pak prapa zgjedhjeve po vjen një ligj por s’ka pasur mundësi të bëhet debat për të. Ka boshllëqe të mëdha. 13 akte nënligjore janë paraparë rrugës. Ne do ta mbështesim. Besoj që ky ligj edhe pasi të kalojë qytetarët do të përballen për një kohë të gjatë me mungesë të shërbimeve shëndetësore. Për qëllime elektorale kanë tentuar ta shtyjnë sa më shpesh”, ka thënë Ismaili.

E, Albana Bytyqi e AAK-së ka thënë se projektligjin e kanë mbështetur por se nëse implementimi s’është i realizueshëm atëherë nuk do të ketë rezultat.

Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, si dhe Projektligjin për Shërbimet e Pagesave.

 

Pa votat e opozitës, pushteti miraton Projektligjin për çmimet tavan

2 o. më parë / 23 pri 2026 11:31 Nga: Marigona Brahimi
kuvend

Photo: Driton Paçarada

Është miratuar Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Projektligji kaloi pa votat e partive opozitare. 

Arben Mustafa i PDK-së ka thënë se grupi parlamentar nuk është kundër tij në parim, por kundër mënyrës si është formuar. Mustafa ka shtuar se projektligji ka paqartësi. 

“Edhe në lexim të parë i kemi dhënë vërejtjet tona. Nuk jemi kundër një ligji qe pengon apo ndalon abuzimet në treg. Mirëpo mënyra si është formuluar ky ligj lë hapësirë për arbitraritet. Është e paqartë se në cilat raste do të ndërhyhet në treg. Si do të përcaktohet arsyeshmëria e çmimeve që caktohen me këtë ligj. Po lihet hapësirë një bordi jo të pavarur për të intervenuar në treg”, ka thënë Mustafa. 

E, Janina Ymeri e LDK-së po ashtu ka kundërshtuar formulimin e projektligjit, duke theksuar se nuk janë kundër iniciativës. 

“Gjërat që i kemi pasur si shqetësim si pavarësia, metodologjia dhe marzha, nuk janë pranuar. Pjesërisht disa fjali janë pranuar për shkak edhe të opinionit ligjor. Për shkak që ky ligj mund të jetë i ndikuar edhe nga interesa tjera private personale dhe partiake dhe rrezikon të jetë komplet i kapur nga partia në pushtet, ndikon në furnizim joadekuat dhe në stabilitetin ekonomik dhe ne nuk e përkrahim ligjin. Jo për iniciativën por për formulimin e ligjit”, u shpreh Ymeri.

Kurse, nga AAK-ja Besnik Tahiri ka thënë se nëse do të donte Qeveria të intervenonte kundër rritjes së çmimeve, do ta ulte akcizën dhe TVSH-në. 

“E para në qoftë se kjo qeveri do të kishte vërtetë vullnet të intervenonte në treg, mënyra më e lehtë ka qenë t’i marrë dy vendime; ta ulë akcizën dhe TVSH të cilat do të ndikonin në ulje të çmimeve në një situatë kur tregu ka qenë i destabilizuar i provokuar nga zhvillimet globale. Po të kishte vullnet politik me të vërtetë kjo do kryhej me dy vendime. Çështja e dytë është elementi thelbësor që unë mendoj që duhet të jetë parakusht i qeverisjes së lirë, vija llogaridhënëse. Nuk ka mundësi të ekzistojë MINT dhe më pas t’i merren përgjegjësitë asaj duke u emëruar një bord. Një institucion paralel”, ka thënë Tahiri.

Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, më pas ka shpjeguar se projektligji parashihet të aktivizohet vetëm në situata të destabilizimit të tregut dhe vetëm për disa produkte të caktuara. 

“Ky ligj është i paraparë të aktivizohet vetëm në situata të destabilizimit të tregut dhe vetëm për 14 produktet e caktuara në ligj të shportës bazë. Nuk është projektligj që i hyn listës së të gjitha produkteve që gjenden në market dhe ua cakton çmimet. Po keni kontradiktë a po e doni bordin e varur apo të pavarur a është kompetencë e qeverisë apo jo. Ideja dhe moduli më i qasshëm dhe lehtë i zbatueshëm dhe kushtetues ka qenë bordi që përzgjidhet me konkurs të hapur dhe me votim nga kuvendi dhe shumicën e pakicën në Kuvend e përcaktojnë zgjedhjet”.

 

Haxhiu për deklaratat e Gecit: Përçarëse dhe të papranueshme, deputetët ta ruajnë nivelin e debatit

3 o. më parë / 23 pri 2026 10:36
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e nisi seancën e sotme parlamentare duke mbajtur fjalim e duke dënuar deklaratat e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, duke i cilësuar ato si të rënda, përçarëse dhe të papranueshme.

Ajo bëri të ditur se ka ndërhyrë gjatë fjalës së tij në seancë, duke theksuar se nuk do të lejojë që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla. Haxhiu ritheksoi se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe shprehu shpresën që vendimi i gjykatës do të korrigjojë, siç tha ajo, padrejtësinë e Prokurorisë së Specializuar.

“Nuk do të lejoj që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla. Le të debatojmë me ide, por jo me qëndrime që cenojnë luftën çlirimtare dhe ata që kontribuuan në kohërat më të vështira”, deklaroi ajo, duke shtuar se lufta çlirimtare ishte e pastër dhe çdo tentim për ta zbehur është i papranueshëm.

Kryeparlamentarja reagoi edhe ndaj gjuhës seksiste të përdorur ndaj nënkryetares Vlora Çitaku, duke e cilësuar atë si të turpshme dhe të papranueshme. Ajo theksoi se nuk do të lejohet normalizimi i një gjuhe të tillë, sidomos në institucionin më të lartë përfaqësues.

“Dje u bë publike edhe gjuha seksiste ndaj nënkryetares Vlora Çitaku. Kuvendi nuk është dhe nuk do të bëhet arenë e gjuhës seksiste. Gjuha poshtëruese ndaj grave në shoqërinë tonë është e papranueshme dhe e turpshme. Nuk do të lejoj që një gjuhë e tillë të normalizohet veçanërisht në sallën e Kuvendit.  Fyerja, paragjykimi dhe nënçmimi nuk janë debat dhe nuk do të tolerohen asnjëherë”, shtoi Haxhiu.

Në fund, Haxhiu u bëri thirrje deputetëve që të ruajnë nivelin e debatit dhe të respektojnë besimin që u është dhënë nga qytetarët.

Gjatë seancës të së martës, Geci i uroi ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë fat të njëjtë sikurse Naim Murselit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për planifikimin e vrasjes së bashkëshortes.

Geci gjithashtu iu drejtua deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, me fjalën “gru e keqe, i ke bo 100 vjet hala s’je martu”.