Arbëri

Dështon sërish miratimi i projektligjit për shëndetin riprodhues

(Përditësuar - 13:38) - Në mungesë të kuorumit ka dështuar sërish miratimi në Kuvendin e Kosovës i projektligjti për shëndetin riprodhues.

Po ashtu në mungesë kuorumi u shty shqyrtimi i projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.

Në parim u miratuan Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligji për sportin dhe ai për tekstet shkollore.

Ndërsa, për Projektligjin për gjendjen civile nuk pati kuorum. Nuk kaloi as Propozim-rezoluta për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore e propozuar nga AAK.

Kuvendi themeloi Organin Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit.


Kalon në parim projektligji për KPK-në

Ka kaluar në parim projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Para seancës aktivistët e PSD-së kanë mbajtur një aksion kundër këtij projektligji. Pati foto të Kurtit dhe mesazhe “dua të bëhem prokuror”.


(Përditësuar - 13:20 ) - Nuk ka pasur kuorum në Kuvendin e Kosovës për t’u votuar marrëveshjet ndërkombëtare gjatë seancës të së enjtes.

Votimi është shtyrë për një seancë tjetër.

Deputeti i pavarur, që ishte dikur pjesë e partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi pasi dështoi votimi, iu drejtua pushtetit me fjalët “thirrne Radoiçiqin vjen ua voton”.

Ai më pas doli nga seanca.


Ministri Aliu refuzon t’i përgjigjet PDK-së pa i votuar marrëveshjet ndërkombëtare

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani.

Ai ka thënë se nuk do të përgjigjet pa i votuar PDK-ja marrëveshjet ndërkombëtare.

“Nëse doni të bëni spektakël bëni. Prej anës së ministrisë projekti është përmbyllur. Problemet tjera duhet t’ia raportoni kompanisë përgjegjëse. Do të doja t’i shkoja deri në fund kësaj bisede por votoni marrëveshjet”, ka thënë ai.

Një muaj më parë, edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pati bërë të njëjtën gjë. Ajo pati refuzuar t’i përgjigjet PDK-së me arsyetimin se nuk do të ketë përgjigje pa i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Partitë opozitare patën bojkotuar votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, e më vonë LDK-ja e AAK-ja patën pohuar se do t’i votojnë.


Kuvendi mblidhet sot, 10 marrëveshje ndërkombëtare në rendin e ditës me 30 pika

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare. Deputetët kanë në rend dite 30 pikë, prej të cilave votimin e 8 marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtimin e dy të tjerave.

Në rend dite është edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, si dhe votimit në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe atij për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Seanca është paraparë të nisë në orën 10:00.

Rendi i ditës

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

Betimi i Komisioneres Parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, znj. Remzie Zeqiraj,

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-277 për sport,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

Votimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore,

Votimi për themelimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Organit

Shqyrtues të Prokurimit,

Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,

Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile,

Zgjedhja e katër (4) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre tre (3) nga radhët e komunitetit shqiptarë dhe një (1) nga radhët e komunitetit serbë,

Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2022,

Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022.