Kuvendarët në Lipjan, ditë më parë kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për ta mbajtur një seancë të jashtëzakonshme lidhur me rastet e dhunës në familje në gjithë territorin e kësaj komune.
Ndërkohë, sipas zyrtarëve komunalë, departamenti i Kuvendit Komunal në Lipjan, nëpërmjet kërkesave zyrtare ka kërkuar nga Qendra për Punë Sociale dhe Policia e Kosovës, që në mbledhjen e radhës të raportojnë për rastet e dhunës në familje dhe trajtimin e tyre nga institucionet përkatëse.
Daut Azemi, kryesues i Kuvendit Komunal, ka thënë për Kohën se në kuadër të fushatës 16-ditore kundër dhunës në familje, kanë kërkuar raporte nga institucionet përkatëse lidhur me këtë çështje.
“Në kuadër të kësaj fushate patëm kërkuar nga QPS-ja dhe Policia e Kosovës të kemi raporte lidhur me rastet e dhunës në familje dhe trajtimi i tyre. Ende pa u nisur mbledhja e nënshkrimeve nga kuvendarët ne kemi bërë kërkesa që t’i kemi këto informacione në mbledhjen e radhës, andaj edhe kuvendarët do ta kenë mundësinë t’i marrin të dhënat dhe të debatojnë lidhur me këtë temë”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, kuvendarët ende nuk kanë dërguar ndonjë kërkesë apo nënshkrime për ndonjë seancë të jashtëzakonshme.
“Pavarësisht asaj, nëse kuvendarët i mbledhin nënshkrimet, atëherë jemi të obliguar ta mbajmë një mbledhje të jashtëzakonshme, por të gjitha ato informacione do t’i kenë kuvendarët në mbledhjen e radhës në një pikë të veçantë”, ka thënë Azemi.
Arsim Jashari, Shef i grupit të kuvendarëve nga radhët e PDK-së, ka thënë se kuvendarët e kanë parë të arsyeshme të debatojnë rreth rasteve të dhunës në familje pas rastit të fundit të vrasjes së gruas shpatëzën nga ish bashkëshorti i saj.
“Iniciuam një kërkesë për mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal ku kërkuam që të kemi një raport të detajuar për situatën e sigurisë së viktimave të dhunës me bazë gjinore, raporte nga Policia e Kosovës-Lipjan dhe Qendra për punë sociale. Kërkesa ishte reflektim nga rasti ku një bashkëqytetare e jona u vra nga ish bashkëshorti i saj në ditët kur po shënohen 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore”, ka thënë ai.
Sipas tij, është e domosdoshme të debatohet në kuvend lidhur me këtë çështje.