Arbëri

Peci arrin koalicion me LDK-në në Mitrovicë, Safet Kamberi kryesues i Kuvendit Komunal

Safet Kamberi

Përditësim 22:14 - Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut nga Lista Guxo, Faton Peci, ka arritur koalicion me LDK-në për udhëheqje në këtë komunë.

Pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal e ka marrë Safet Kamberi nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kamberi u zgjodh me 18 vota për, 10 kundër dhe dy të pavlefshme.

11 dhjetori ka qenë afati i fundit që të zgjidhet kryesuesi komunal si dhe të betohet anëtari Arian Tahiri nga PDK-ja. Si rrjedhojë, u ftua mbledhje urgjente në orën 21:30. Kjo mbledhje ishte paraparë të mbahej nesër në orën 10:00, por sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryesuesi duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve nga betimi i kryetarit të komunës.

Siç bëri të ditur tashmë kryesuesi komunal Safet Kamberi, nesër në ora 10:00 do të ketë seancë por do të jetë e rregullt.

 

“Dua vetëm një gjë t’iu premtoj, unë si kryesues i kuvendit do të jem në nivelin e përgjegjësisë. Do ta respektoj ligjin për Vetëqeverisje Lokale i cili në njëfarë forme është kushtetuta jonë. Ju garantoj se secili anëtar i kuvendit do ta ketë hapësirën e tij, për të diskutuar, për të dhënë kontributin e tij. Ne e kemi të paraparë seancën tjetër të rregullt për ditën e nesërme në orën 10:00. Po besoj se e kemi te obliguar ne të fillojmë nesër në orën 10:00 siç është e paraparë edhe agjenda. Do t’i kemi në shqyrtim themelimin e dy komiteteve të rëndësishme e të përhershme; komitetin për politikë dhe financa dhe komitetin për komunitete”, ka thënë Kamberi pas zgjedhjes si kryesues.

Faton Peci zyrtarisht u betua si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, më 12 dhjetor 2025. Peci siguroi mandatin duke mposhtur kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahirin, në dy raundet e zgjedhjeve lokale, më 12 tetor dhe në balotazh më 9 nëntor.


Kuvendi Komunal i Mitrovicës fton mbledhje urgjente për sonte

Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Jugut ka ftuar sonte mbledhje urgjente. Kjo mbledhje do t’i ketë dy pika të rendit të ditës.

Pika e parë është betimi i anëtarit të Kuvendit, Arian Tahiri dhe pika e dytë është zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Mbledhja parashihet të nisë nga ora 21:30. Sot ishte afati i fundit për ta thirrur seancën.

Thirrja e kësaj seance vjen në orët e fundit të afatit ligjor, pasi sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryesuesi duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve nga betimi i kryetarit të komunës.

Arian Tahiri nga PDK-ja i cili ishe kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, pasi u mund nga kryetari i tanishëm Faton Peci, garoi për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Tahiri, e fitoi ulësen e deputetit si kandidati i dytë më i votuar në Partinë Demokratike të Kosovës me mbi 70 mijë vota.