Arbëri

Kuvendi Komunal i Ferizajt ua dërgon ftesat e para kuvendarëve në gjuhen serbe

Ftesa e Kuvendit Komunal në Ferizaj për mbledhjen e parë me kuvendarët është karakterizuar me një “lëshim” nga ana e sekretarisë së Kuvendit, të enjten. Kuvendarët kanë deklaruar se ftesat e tyre për mbledhjen e parë i kanë pranuar vetëm në gjuhen serbe e që konsiderojnë se KK-ja e Ferizajt nisi me “skandale”.

Amir Rexhepi, asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se është shqetësuese se si sekretaria e Kuvendit dhe Kryesuesi Xhavit Zariqi, kanë përpiluar pikat e rendit të ditës në gjuhen serbe.

“Është shumë shqetësuese për të gjithë kuvendarët se si ftesat e para dhe E-maili për mbajtjen e seancës së parë të Kuvendit Komunal në Ferizaj kanë ardhur vetëm në gjuhen serbe. Kjo nënkupton papërgjegjësinë e drejtuesve të këtyre institucioneve karshi qytetarëve. Pra, ne e quajmë “skandal” me të cilin karakterizohet seanca e parë e Kuvendit Komunal. Pra edhe një herë vlen të sqarohet se ftesa dhe e-maili nga komuna ka ardhur vetëm në gjuhen serbe dhe jo në gjuhen shqipe”, ka akuzuar Rexhepi.

Në anën tjetër, Xhavit Zariqi, ka thënë për KOHEN se ka mund të ndodh ndonjë gabim teknik nga sekretaria e Kuvendit por do ta përmirësojmë së shpejti, megjithëse sipas tij, ftesat mund të bëhen në dy gjuhë.

“Ju ka shkuar në gjuhen serbe dhe shqipe sepse e kemi obligim ashtu. Unë e di kështu, por ka mundësi që gjatë përgatitjes ë tekstit programi e ka shndërruar në gjuhen serbe por ne do ta shikojmë së shpejti dhe do ta përmirësojmë atë”, ka thënë shkuat Zariqi nëpërmjet telefonit.

Ndërkaq, Mbledhja e parë e Kuvendit Komunal në Ferizaj do të mbahej me 28 dhjetor të këtij vitit në të cilën parashihej të shqyrtohen një varg pikash në interes të përgjithshëm.