Arbëri

Kushti i LDK-së për pjesëmarrje kur votohet presidentja

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Vendimmarrja e LDK-së rreth pjesëmarrjes në votim ose jo të presidentes, do të varet nga e ardhmja e partisë së Vjosa Osmanit dhe deputetët që kanë fituar ulëse në kuadër të Vetëvendosjes. Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, ka kërkuar që pretenduesja për presidente ta qartësojë pozicionin ndaj LDK-së, si dhe deputetët që i takojnë grupimit të Osmanit ta qartësojnë nëse do të jenë pjesë e qeverisë apo e opozitës.

Ka një kusht që Lidhja Demokratike ta konsiderojë pjesëmarrjen në votim për Vjosa Osmanin.

Burime brenda këtyre zhvillimeve kanë thënë se, kryetari i LDK-së Abdixhiku dëshiron të sigurohet që Osmani nuk do t’i shtrijë strukturat partiake ku do të prekej elektorati i LDK-së.

Kreu i LDK-së edhe në deklaratat e fundit ka kërkuar që kandidatja për presidente ta qartësojë pozicionin karshi LDK-së, si dhe deputetët që i takojnë grupimit të Osmanit ta qartësojnë nëse do të jenë pjesë e qeverisë apo e opozitës.

E, ka thënë këtë teksa ka argumentuar se deputetët që morën mandate nga Lëvizja Vetëvendosje janë më afër ideologjikisht me të sesa me Kurtin.

KOHA ka pyetur Abdixhikun dhe LDK-në nëse këto janë kushtet që duhet përmbushur për ta konsideruar votimin e Osmanit, por ka munguar përgjigja.

E në Listën Guxo të Osmanit kanë thënë se nuk ka diçka zyrtare sa i përket këtij opsioni. Haxhi Avdyli, i cili do të jetë deputet i legjislaturës së tetë ka refuzuar të komentojë përkitazi me kushtet që mund të dalin.

“Qytetari ka vendosur faktikisht bindshëm se çka po do dhe besoj që edhe kryetari i ri i LDK-së e ka lexuar qartë këtë vendim të qytetarit dhe besoj që Kosova nuk ka kohë me humb. Ka humbur shumë kohë me zgjedhjet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur kohët e fundit. Formimi i institucioneve është nevojë e qytetarëve e shtetit të Kosovës, për të tjerat nuk kam komente dhe nuk mund të komentojë asgjë rreth ofertës së tyre. Besoj se Kosova do t’i ketë shpejt institucionet. Çdo skenar tjetër iu bënë dëm qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Çdo gjë do të qartësohet javën tjetër dhe Kosova do të bëhet me institucionet e veta”, ka thënë Avdyli.

Nga Lista Vjosa, shtatë kandidatë kanë arritur të bëhen deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Por edhe nëse përmbushet kushti, LDK-ja nuk do të jetë unike si grup parlamentar. KOHA mëson se disa prej deputetëve që kanë pasur përplasje me Osmanin, si Agim Veliu e Driton Selmanaj nuk do të marrin pjesë në votim. KOHA ka provuar t’i kontaktojë Veliun e Selmanajn, por nuk janë përgjigjur.