Arbëri

Kushtetuta e Kaçanikut cilësohet guri i parë themeltar i shtetit të Kosovës

Të martën janë bërë 32 vjet që kur u miratua Kushtetuta e Kosovës e njohur ndryshe edhe si Kushtetuta e Kaçanikut. Ish-delegatë e përfaqësues të institucioneve aktuale theksojnë se me miratimin e Kushtetutës nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror i Republikës së Kosovës

Guximi, edhe vetëm për ta kujtuar, nuk është i njëjtë si ditën kur Xhevat Pllana e çoi dorën që të votonte për miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut. Ish-delegati (deputeti) i Kuvendit të Kosovës 32 vjet pas kujton se sa situatë e vështirë dhe e ndjeshme ka qenë dita e 7 shtatorit në Kaçanik. Teksa e mbërthejnë emocionet, thotë se pavarësisht rrezikut, atëbotë frikë nuk ndiente.

Në rrethana të pasigurta e me fshehtësi të plotë, 114 delegatë të Kuvendit të Kaçanikut 32 vjet më parë miratuan aktin më të lartë juridik të Kosovës së atëhershme, i cili shprehte vullnetin e popullit për pavarësi nga Serbia. Kushtetuta, që atëherë sipas delegatit Pllana ishte ndër më të përparuarat në rajon, ishte produkt i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, e cila ishte shpallur më 2 Korrik të vitit 1990. Me miratimin e saj, Kosova shpallej njësi e pavarur dhe e barabartë me republikat e tjera brenda Jugosllavisë.

“E kujtoj sot më i shqetësuar se atëherë. Për arsye se atëherë pavarësisht sfidave dhe rreziqeve që kanë qenë besoni që nuk kemi pasur kohë as ndjenja për të menduar për frikë, qëllimi i vetëm ka qenë si të mblidhemi dhe t’i shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe Kushtetutën e Kaçanikut”, thotë Pllana.

Organizimin për shpalljen e Kushtetutës, delegatët e kishin bërë krejtësisht fshehtas si përgjigje të domosdoshme ndaj veprimeve serbe, që në mars të 1989-s i dhanë fund autonomisë së Kosovës dhe e kthyen nën pushtetin serb. Këtë guxim të delegatëve për ta sfiduar regjimin e Serbisë, e para e shtetit Osmani e ka quajtur akt heroik e historik.

“Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se guximi i delegatëve të Kaçanikut për ta miratuar Kushtetutën u bë pikënisje për rezistencën e popullit të Kosovës deri në pavarësi më 2008. Që ajo t’i shërbejë historisë, ai kërkoi edhe ribotimin e saj.

“Atëkohë Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u shpall në Kaçanik, u shtyp në rreth 500 kopje, disa prej të cilave, sikur kjo kopje këtu, fatmirësisht kanë mbijetuar deri sot, për t’u arkivuar dhe dëshmuar nga historia. Mbase është koha që të nisim e të mendojmë për ribotimin e saj si dokument historik, në edicione shkencore të shoqëruara me studime përkatëse”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.

E kjo thirrje u mirëprit nga delegati Pllana, i cili thotë se ngjarja e 7 shtatorit duhet të jetë e freskët në kujtesën e të gjithë brezave.

“Sot janë 32 vjet, vajza ose djali 8 vjeçar sot i ka 40 vjet. Në atë kohë ai nuk ka ditur çka po ndodh, domethënë edhe 40-vjeçari i sotëm nuk e di se çka ka ndodhur, për atë duhet edhe me e ribotu edhe me e përsërit. Për arsye se është një ngjarje që është vlerësuar si ngjarje me rëndësi historike”, ka deklaruar Pllana.

Në përvjetorin e 32-të të Kushtetutës së Kaçanikut nuk ka pasur kurrfarë aktiviteti të organizuar nga institucionet e Kosovës.