Arbëri

Kushtetuesja obligon deputetët që brenda 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin

Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë thirrjes së seancës konstituive pas publikimit të Aktgjykimit të plotë në gazetën zyrtare, i cili obligon deputetët që nga e marta në afat brenda 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin. Në sqarimin e ofruar për kandidatin që duhet ta propozojë partia fituese, Kushtetuesja ka konstatuar që propozimi i vazhdueshëm për votim të emrit për Kryetar të Kuvendit nuk duhet të shërbejë si mekanizëm bllokues, tek ka marrë referencë zgjedhjen e Presidentit dhe Avokatit të Popullit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar të hënën aktgjykimin e plotë lidhur me bllokadën në Kuvend dhe i njëjti është publikuar edhe në gazetën zyrtare, duke i hapur rrugët kështu vazhdimit të seancës konstituive.

Kushtetuesja ka dhënë arsyetimet se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve, afat që nis të rrjedhë nga e marta.

Sipas aktgjykimit, kalimi në votim të fshehtë për të cilin insistonte Lëvizja Vetëvendosje nuk është mbështetur edhe nga subjektet tjera, rrjedhimisht kryesuesi është urdhëruar që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës - procedimi i votimit të kryeparlamentarit.

Kushtetuesja e ka sqaruar edhe kufizimin në vetëm tri herë të votimit të kandidatit për kryeparlamentar, pikë për të cilën Vetëvendosje e kishte akuzuar se shpiku normë të re.

“Në këtë kontekst, Gjykata konsideron që propozimi i vazhdueshëm për votim të kandidatit/es së njëjtë për Kryetar/e të Kuvendit nga ana e grupit më të madh parlamentar nuk duhet të shërbejë si mekanizëm i bllokimit që do të pamundësonte arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve. Për këtë qëllim, Gjykata vlerëson që përcaktimi i një mekanizmi debllokues për propozimin e kandidati/es për Kryetar/e të Kuvendit konsiderohet si i domosdoshëm dhe në mënyrë thelbësore do t’i shërbente përmbushjes së detyrimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e funksionimit të tij si organ përfaqësuesi i sovranit. Në dritën e këtij elaborimi, Gjykata vlerëson që në rast të dështimit të arritjes së shumicës së votave të të gjithë deputetëve për zgjedhjen e Kryetarit/es të Kuvendit, votimi i kandidatit/es të propozuar për Kryetar/e të Kuvendit mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në aktgjykim.

Këtë konstatim Gjykata e ka dhënë duke marrë shembull zgjedhjen e udhëheqësve të institucioneve tjera.

“Gjykata këtë konstatim e ndërlidh edhe me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me votimin e krerëve të institucioneve të tjera nga ana e Kuvendit (shih, nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës dhe nenin 9 (Zgjedhja e Avokatit të Popullit) të Ligjit Nr.05/L019 për Avokatin e Popullit), proces i cili zhvillohet brenda një afati të përcaktuar dhe përmes një numri të arsyeshëm të raundeve të votimit. Prandaj, Gjykata vlerëson që kufizimi i mundësisë së votimit të të njëjtit/es kandidat/e për Kryetar/e të Kuvendit deri në 3 (tre) herë konsiderohet si një mekanizëm dhe mundësi që deputetët e zgjedhur, në frymën e bashkëpunimit konstruktiv, në frymën e ushtrimit të mandatit të tyre kushtetues sipas përcaktimeve të Kushtetutës të arrijnë që realizojnë detyrimet e tyre kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit/es të Kuvendit”, thuhet tutje në aktgjykim.

Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin paraprak, atë 26 qershorit dhe rrjedhimisht të gjitha vazhdimet e seancës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik i ka shpallur të pavlefshme.

Por Kushtetuesja në Aktgjykim nuk i përmend pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e konstatojnë Kuvendin brenda afatit të përcaktuar.

Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e plotë po ashtu ka njoftuar se më 7 gusht gjyqtari Radomir Laban, kishte kërkuar të përjashtohej nga vendimmarrja në lëndët e dorëzuara nga PDK-ja dhe LDK-ja të cilat Kushtetuesja i ka bashkuar, si dhe në atë të dorëzuar nga presidentja Osmani.

Për Labanin,  presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte deklaruar se institucionet e sigurisë kanë konsideruar që përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës. Për këtë arsye, ajo kishte vendosur ta tërheqë kërkesën për interpretim nga Kushtetuesja.