Të hënën, Kushtetuesja mund ta pranojë një kërkesë të re nga Presidenca, krahas atyre të PDK-së dhe LDK-së, që i ka në trajtim nga fillimi i korrikut. Njohës të çështjeve politike kërkojnë nga Kushtetuesja që të përgjigjet më shpejt ndaj kërkesave, për të mos lejuar që të shkelet afati i vendosur nga vetë ajo për konstituim të Kuvendit
Nga e hëna e tutje, presidentja Vjosa Osmani pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për çështjen e konstituimit të Kuvendit, pasi dështoi edhe përpjekja e 49-të për funksionalizimin e legjislaturës së re.
Pas dështimit të seancës të shtunën, në një përgjigje nga Presidenca, i kërkuan KOHËS që t’i referohet deklaratës së para disa ditëve të Osmanit, kur tha se nëse gjatë vikendit nuk konstituohen institucionet, në fillim të javës do t’i drejtohet Kushtetueses.
Por Kushtetuesja, e cila ka dhënë afat prej 30 ditësh për konstituim, i ka në trajtim edhe dy lëndë të tjera të pranuara nga Partia Demokratike e Lidhja Demokratike, për të cilat ende nuk ka dhënë vlerësim.
Njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, vlerëson se Gjykata duhet të përgjigjet sa më shpejt, në mënyrë që të mos lejohet të shkelet afati i vendosur nga vetë ajo, e i cili përfundon të shtunën e ardhshme.
“Për shkak të ofrimit të afatit skadues të konstituimit të Kuvendit, sipas aktgjykimit të datës 26 qershor, mendoj që Gjykata Kushtetuese nuk e ka luksin që duke u fshehur prapa afateve ligjore ta vonojë trajtimin e kërkesave të partive politike drejtuar asaj, por duhet që të veprojë dhe sa më shpejt të jetë e mundur të përgjigjet, në mënyrë që të krijojë qartësi juridike, sepse dëmet nga kjo krizë politike janë të mëdha dhe kam frikë që pjesërisht janë edhe të pariparueshme”, ka thënë Muja.
Pas vazhdimit të së shtunës të seancës konstituive edhe Aleanca e kërkoi një aktvendim tjetër nga Kushtetuesja, por më konkret se ai i para tri javëve.
“Pa dashur të interferojmë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kësaj sage duhet t’i jepet fund me një vendim tjetër, ku pas një muaji këtij deputeti i merret e drejta e kandidimit, nëse deri më datë 26 nuk e konstituon Kuvendin”, ka thënë deputetja Time Kadrijaj.
Për t’i dhënë fund bllokadës në Kuvend, të shtunën është mbajtur një takim mes kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Deri më tash, Nisma e ka kushtëzuar bashkëpunimin me pozitën e kryeparlamentarit.