Arbëri

Kushtetueses i kërkohet të mos lërë hapësirë interpretimi

Në prag të vendimit të radhës të Gjykatës Kushtetuese përkitazi me seancën konstituive të Kuvendit, njohës të çështjeve juridike shtruan nevojën për vendim të qartë që nuk lë hapësirë interpretimi. E në LDK, parti e cila ka adresuar kërkesë në gjykatë, shprehën pritjen që Vetëvendosjes t’i merret e drejta për propozimin e kryeparlamentarit

Më së largu edhe një javë, Gjykata Kushtetuese do ta marrë vendimin e ri lidhur me moskonstituimin e legjislaturës së nëntë.

Derisa partitë politike vazhdojnë të mbajnë qëndrimet e njëjta, njohës të çështjeve kushtetuese shprehën pritjen se vendimi i Kushtetueses t’i jap fund bllokadës institucionale. 

Profesori Mazllum Baraliu thekson se Gjykata duhet të jetë shumë precize dhe e qartë në arsyetimin e vendimit që merr.

“Do të duhej të ishte jashtëzakonisht i përpiluar mirë, konciz, i qartë, i kanalizuar mirë, i arsyetuar mirë, shkurt e shqip sepse kështu donë këta, edhe të ua pikturosh se nuk e marrin vesh ndryshe, të ua shpjegosh në mënyrë analitike dhe sintetike në mënyrë që të mos kenë kah të shkojnë, të mos kenë mundësi të interpretojë secili në mënyrën e vet shumë kuptimisht dhe për ta vazhduar avazin e krizës dhe të sjelljes së tyre të papërgjegjshme”, ka hënë Baraliu.

Sipas tij, Gjykata duhet të përfshijë në vendim edhe pasojat për deputetët nëse nuk e zbatojnë vendimin.

Baraliu thotë se deputetët po i mbrojnë qëndrimet e vjetra që kanë prodhuar krizën aktuale dhe dështimin në 54 tentativa për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Këta definitivisht po tregojnë që janë më tepër për pushtet dhe për interesa të tyre të ngushta formale, jo formale, politike dhe partiake e për përfitime sesa për shtet, për qytetarin dhe Republikën”, ka thënë ai. “Këta njerëz si duket nuk janë të gatshëm që të kenë përgjegjësi të mjaftueshme, edhe demokratike, edhe politike, edhe shtetërore për të ndërtuar institucionet, por më tepër kanë energji, disponim dhe do të thosha unë potencial për të penguar njëri-tjetrin, për t’i shfryrë inatet politike dhe egot e tyre politike edhe për të penguar, bllokuar njëri-tjetrin në konstituimin e Kuvendit dhe të organeve të tjera”.

E sipas menaxherit të programit në Friedrich Eber Stiftung, Egzon Osmanaj, Gjykata duhet të adresojë legjitimitetin e mandateve të deputetëve.

“Është një prej opsioneve që mandatet e deputetëve mund të humbasin nëse ata nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ose obligimin e tyre kushtetues për t’i themeluar institucionet brenda afatit kushtetues. Pra, kur kemi shkelje të afateve të Kushtetutës, kjo është shkelje e Kushtetutës”, ka thënë Osmanaj.

Në Vetëvendosje, PDK, AAK e Nisma nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS lidhur me pritjet nga Kushtetuesja dhe nëse do ta respektojnë vendimin që merret.

E, në LDK shprehën pritjen që vendimi t’i japë fund ngërçit politik. 

Deputetja Jehona Lushaku tha se votimi për kryetarin e Kuvendit duhet të jetë i hapur dhe transparent, dhe pikërisht për këtë LDK-ja ka adresuar kërkesë në Kushtetuese.

“Ne presim që Gjykata të sqarojë se rendi i ditës nuk mund të ndryshohet në funksion të interesave të një partie dhe se votimi për kryetarin e Kuvendit duhet të jetë i hapur dhe transparent. Besojmë se njësoj si në rastin e formimit të qeverisë, pas dështimit të subjektit të parë për të siguruar shumicën për zgjedhjen e kryetarit, kjo e drejtë do të duhej t’i kalojë subjektit që siguron atë shumicë”, ka thënë Lushaku. “LDK-ja është parti institucionaliste dhe gjithmonë ka respektuar vendimet e sistemit gjyqësor, përfshirë ato të Gjykatës Kushtetuese. Por ne besojmë fuqishëm se Gjykata Kushtetuese do të bëjë një interpretim të drejtë të Kushtetutës dhe të frymës së saj”.

Krahas LDK-së, kërkesë për interpretim në Kushtetuese ka dërguar edhe PDK-ja e edhe presidentja Vjosa Osmani.