Arbëri

Kurti, vizitën e parë zyrtare në Tiranë në margjina të Samitit

Projektet në fushën e transportit hekurudhor, rrugor, teknologjisë dhe energjisë do të diskutohen në kuadër të Samitit me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pjesë e tij do të jetë kryeministri Albin Kurti, për të cilin kjo është vizita e parë zyrtare pas zgjedhjes në krye të Ekzekutivit

Tirana do të jetë të enjten nikoqire e Samitit me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohet rreth projekteve në kuadër të Procesit të Berlinit. Samiti do të drejtohet nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.

Zyrtarë të Qeverisë Shqiptare më herët kanë përmendur investimet miliardëshe që mund të dalin nga marrëveshjet potenciale në fushën e transportit hekurudhor, rrugor, teknologjisë dhe energjisë.

“Në fushën e ndërlidhjes së transportit, transportit rrugor, transporti hekurudhor, teknologjisë, energjisë, në kuadër të këtyre shtyllave Ballkani Perëndimor pritet të ketë 9 miliardë euro investime. Por plani i investimeve synon të ketë potencialin për të sjellë rreth 20 miliardë euro investime për rajonin”, ka thënë Odeta Barbullushi, këshilltare e kryeministrit Rama.

Pjesë e Samitit do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilin njëherësh është vizita e parë në Shqipëri, pas rizgjedhjes në krye të Ekzekutivit. Në Qeverinë e Kosovës nuk ka komentuar për pritjet dhe takimet e kryeministrit në margjina të Samitit.

Kurti rikthehet në kryeqytetin shqiptar pas zgjedhjeve të prillit në të cilat prezantoi tre kandidatë të pavarur, por që asnjëri nuk mori vota për t’u futur në Parlament.

Fushata dhe votimi i kryeministrit të Kosovës në zgjedhjet e Shqipërisë u komentuan në forma të ndryshme. Por kryeministri Rama deri më tani ka refuzuar të flasë për raportet e tij me Kurtin.

Megjithëkëtë, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje mohojnë se janë ftohur marrëdhëniet mes Kurtit dhe Ramës. Deputetja e këtij subjekti, Arjeta Fejza, ka thënë se Qeveria Kurti po angazhohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Shqipërinë, si kundërpërgjigje ndaj atyre që po kritikojnë raportet mes dy vendeve.

“Pra ne tashmë veçse kemi nisma konkrete të bashkëpunimit me Shqipërinë. Ajo çështja e zgjedhjeve konsideroj se është një çështje tjetër dhe nuk do ta pengojë në asnjë mënyrë bashkëpunimin që ne do ta kemi me Qeverinë e Shqipërisë dhe iniciativat që ne mendojmë t’i marrim për thellimin e bashkëpunimit. Unë mendoj që si kundërpërgjigje ndaj këtyre deklaratave kemi nisma konkrete e punë të përbashkëta”, ka thënë Fejza për “Kosovapress”.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se bashkëpunimi ndërshtetëror nuk duhet të kthehet në raport personal mes udhëheqësve.

“Duhet thënë po ashtu se Kosovën dhe Shqipërinë nuk i pengon asgjë që të krijojnë raporte sa më të mira në të gjitha sferat. Domethënë nuk kanë kurrfarë pengese, por po duket se inatet personale ose inatet që kanë të bëjnë me inatet partiake politike të njërit ose liderit tjetër që është në pushtet e kanë sjellë situatën që sërish të flasim për përmirësim të raporteve mes dy vendeve. Ne e dimë se viteve të kaluara disa herë janë takuar qeveritë e të dyja vendeve, ku janë nënshkruar një numër jashtëzakonisht i madh i marrëveshjeve, por është çështje tjetër sa këto marrëveshje janë zbatuar dhe tash sërish nevojitet takim tjetër për të parë se deri ku kanë shkuar ato marrëveshje dhe a janë zbatuar ose jo”, ka thënë Mushkolaj.

“Kushtimisht, çdo përpjekje për ta nxjerrë këtë bashkëpunim ndërshtetëror në kontekst të ndonjë raporti personal është e dëmshme dhe do t’i dëmtojë më shumë raportet mes dy vendeve”.

Në mbledhjen e fundit, Qeveria e Kosovës miratoi disa vendime që kanë të bëjnë me raportet me Shqipërinë. Mes tjerash, është miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm, si dhe Marrëveshja për Rregullimin e Regjimit të Trafikut Lokal të Kufirit.

Vitin e kaluar, takimi i 6 drejtuesve të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Samiti i Sofjes, u zhvillua online për shkak të pandemisë.

Mes tjerash, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u pajtuan të krijojnë një treg të përbashkët rajonal dhe gjithashtu të miratojnë politika të gjelbra.