Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bosnje dhe Hercegovinë për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Ceremonia do të mbahet në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçarin.
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Kurti do ta udhëheqë delegacionin e Republikës së Kosovës të përbërë nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministrja e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi.
Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës datën 11 korrik e ka shpallur ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës.
Osmani: Zëri i nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës
E, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se zëri i nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër padrejtësisë.
Në Facebook ajo ka shkruar se Kosova është përkrah boshnjakëve.
"Pas tri dekadash, zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë. Kosova qëndron përkrah tyre, sepse ne e dimë çfarë do të thotë dhimbja e humbja, por dhe angazhimi i palodhur për drejtësi", ka shkruar ajo.