Artikull i përditësuar -
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do të ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet mirëpo do të ju njoftojmë së shpejti”, ka thënë Kurti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPas takimit Kurti-Abdixhiku, LDK-ja është mbledhur për të diskutuar lidhur me çështjen e presidentit. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, ka thënë se pas takimit do të dilet me një deklaratë zyrtare. Ai ka bërë të ditur se në takimin Kurti-Abdixhiku nuk është folur për emra.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, gjatë mbajtjes së takimit Kurti-Abdixhiku ka thënë se ai u mbajt në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet.
“Takimet janë intensive me të gjitha palët. Natyrisht zoti Abdixhiku është kryetar i një partie me 15 deputetë andaj diskutimet janë të vazhdueshme me të gjitha palët, që do të mund të kontribuonin për t’i shmangur zgjedhjet”, ka thënë ajo në një deklaratë për gazetarët.
Nagavci ka refuzuar të flasë për emra, por ka thënë se “do të bëjnë gjithçka brenda kompetencave për të shmangur edhe një palë zgjedhje”.
VIDEO:
Takimi u mbajt në ambientet e Kuvendit. Të dy udhëheqësit e partive janë takuar qe tri herë në një javë, në përpjekje për arritjen e një dakordimi për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Kurti e Abdixhiku u takuan edhe një ditë më parë. Pas takimit të mbajtur të hënën, Abdixhiku tha se e sheh shumë të vështirë konsensusin politik mes partive për emrin e presidentit të ri, tek theksoi se nuk ka qëndrim refuzues ndaj presidentes Vjosa Osmani.
“Neve nuk na ka ardhur askush me 15 nënshkrime për t’i kërkuar edhe 15 të tjera. Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona. Pra, në këtë fazë, nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt. Aq më pak ndaj zonjës Osmani”, ka thënë Abdixhiku.
Kurti dhe Abdixhiku janë takuar për të njëjtën çështje edhe të hënën e shkuar.
Kryeministri Kurti tha se nuk i ka 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe se krejt çfarë mund të bëjë me numrat aktualë është t’i sigurojë nënshkrimet për dy kandidatë.
“Si Lëvizje Vetëvendosje ne kemi mundësi që ta nxjerrim një kandidat sepse i bëjmë 30 nënshkrime, sepse nevojiten 30 nënshkrime për të pasur kandidaturë. Bashkë edhe me pakicat që i kemi në mazhorancë mund t’i nxjerrim dy kandidatë. Për shkak se me 66 veta i kemi 60 nënshkrime. Tash edhe opozita, nëse nuk e përfshijmë Listën Serbe, janë 43 deputetë, 22 PDK-ja, 15 LDK-ja dhe 6 AAK-ja gjithsej bëjnë 43. Pra edhe opozita mund të nxjerrë kandidat. Kushtetuta na obligon që t’i evitojmë zgjedhjet, që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtetuta thotë që ne duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Kurti.
E për kandidaturën e Vjosa Osmanit, Kurti tha se nuk i ka votat e mjaftueshme.
“Ne duhet t’i kemi 80 veta të cilët qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë që nuk duhet të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje. E kemi prioritet absolut në situatën aktuale politike evitimin e zgjedhjeve. Duhet të sigurohemi që jo t’i kemi 80, por nja 84-85”.
Kurti ka deklaruar më herët se beson që Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të ishte figurë e përshtatshme për postin e presidentit.
Megjithatë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë.
Ndryshe nga Jashari, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. Partitë opozitare e kanë kritikuar Osmanin për, siç kanë thënë, njëanshmëri në favor të Qeverisë.
Kurti ka pasur dy takime edhe me Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës. Pas takimit të dytë të shtunën, Hamza u shpreh se propozimi i tij i fundit për të shmangur zgjedhjet është që PDK-ja ta propozojë një kandidat e që VV-ja ta mbështesë. Megjithatë Kurti e ka interpretuar si gatishmëri për garë. E Hamza e pati refuzuar garën duke thënë se “rezultati dihet”.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.
Kurti ka thënë se, nëse nuk arrihet një marrëveshje për një figurë me mbështetje të gjerë, atëherë një nga opsionet është që secila parti ta propozojë kandidatin e vet dhe procesi të zhvillohet përmes garës në Kuvend.
Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe ish-ministri Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë tjera.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Në rastin e tanishëm, presidentja Vjosa Osmani qe zgjedhur më 4 prill 2021.
Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Afat për zgjedhjen e presidentit sipas kryetares së Kuvendit Albulena Haxhiu, ka deri më 4 mars.