Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka sinjalizuar se synon një “ndërmarrje të madhe e të gjerë” me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas takimit mbi dy orë që pati në Kuvend me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, për të diskutuar për formimin e institucioneve.
Kurti u shpreh të premten në mbrëmje se takimi është zhvilluar në një atmosferë konstruktive, ku janë diskutuar zhvillimet politike, dinamikat institucionale dhe hapat drejt konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit. Sipas tij, ekziston një gatishmëri dhe vullnet për të shmangur zgjedhjet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, ku diskutuam shumë çështje të zhvillimeve politike, të dinamikave institucionale dhe njëkohësisht orarin që na pret përpara konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit. Ishte takimi i parë. Të gjithë e dimë që pardje u bë certifikimi dhe, përveç kësaj, i kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për ta zgjedhur kryetarin apo kryetaren e Kuvendit, kryesinë e më pastaj edhe për qeverinë dhe presidentin”, ka thënë Kurti.
Ai bëri të ditur se në takim janë trajtuar të gjitha këto tema, por se ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.
“Kemi diskutuar për të gjitha këto. Por ende nuk kemi konkluzion apo ndonjë të arritur, të cilën do të mund ta ndanim me ju këtu. Jam optimist për rrugën përpara, jam me shpresë që racionaliteti që po mbizotëron do të vazhdojë të ekzistojë në këto takime. Është takimi i parë, meqë do të ketë takime të tjera”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se bisedimet po zhvillohen rreth koncepteve, parimeve, afateve dhe funksioneve, duke lënë të kuptohet se synimi është një marrëveshje më e gjerë politike. Shtoi se bisedimet do të jenë transparente, por do të kenë edhe një farë konfidencialiteti.
“Diskutojmë koncepte, parime, gjithashtu orare e funksione. Është një ndërmarrje e madhe e gjerë që kërkon besim e mirëbesim, e cila kërkon kohë për realizim. Do të jemi transparentë karshi jush sa i përket procesit në të cilin ndodhemi, e kemi edhe konfidencialitetin e këtyre bisedave, të cilat duhet të rezultojnë me të arritura konkrete që të kemi çka të bëjmë publike”, deklaroi Kurti.
Sipas Kurtit, takimi nuk është fokusuar në emra për postin e presidentit, por në konceptet dhe parimet e bashkëpunimit.
“Nuk ka qenë takim për emër për president, por për koncepte e parime. Dhe çka të bëjmë strategjikisht që ta arrijmë numrin maksimal të deputetëve kur të vijë çështja e zgjedhjes”, u shpreh ai.