Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja pa miratim të buxhetit për 2026-n. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se nuk e ka të qartë se si do të veprohet me të, meqë nuk e ka shumicën në kuvend. E pa ligj të miratuar, nga janari asnjë projekt i ri nuk do të mund të fillojë
Asnjë projekt i ri kapital nuk do të mund të fillojë në janar të vitit të ardhshëm, nëse Kuvendi nuk arrin të miratojë Ligjin për buxhet për vitin 2026.
Dështimi i formimit të Qeverisë në seancën e së dielës dhe paralajmërimet për shkuarjen në zgjedhje të reja, lënë në diskrecion të kësaj legjislature zgjatjen e buxhetit aktual edhe për tre muajt e parë të vitit të ardhshëm.
E nëse deri në mars nuk themelohen institucionet e reja, arka e shtetit do të bllokohet, duke rrezikuar pagat për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijë, asistencën sociale, furnizimin me barna dhe funksionimin e organeve të rendit dhe të sigurisë.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë të hënën se ka paqartësi se si do të vazhdohet procesi me buxhetin.
“Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ec përpara. Ne kemi të drejtë ta propozojmë buxhetin për 2026 në Kuvendin në bazë të ligjit për Qeverinë, por na duhet të bëjmë edhe shumë konsultime me juristët për të parë se cila është rruga përpara”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se problem në këtë fazë përbën fakti se ende nuk janë formuar as Komisionet parlamentare dhe ka shprehur drojë nëse përmbajtja do të miratohet në Kuvend.
“Ka shumë të panjohura në rrugën përpara dhe dita e djeshme i ka shtuar ato”, ka thënë ai.
Pa formimin e komisioneve të Kuvendit, nuk do të mund të ekzekutohet buxheti në fillimvit, as duke u bazuar në projeksionet e buxhetit aktual.
“Nëse konstituohen Komisionet dhe Kuvendi është konstituuar që Komisioni për buxhet të propozojë Kuvendit që të vazhdohet me 1/12 e këtij viti për janar dhe 1/12 për shkurt derisa të pritet të konsituohen organet e reja. Kjo mund të jetë varianti më e mundshme, jo krejt e ligjshme, pak si tu i mshel sytë e mos me blloku shtetin. Përndryshe, asnjë pagesë nuk mund të procedohet pasi Ligji për Buxhetin neni i fundit shkruan ky ligj hyn në fuqi më 1 janar dhe shfuqizohet më 31 dhjetor shumë e qartë është”, ka thënë Haki Shatri, ish-ministër i Financave.
Bazuar në ligj, Buxheti për vitin e ardhshëm duhet të dorëzohet në Kuvend më së largu më 31 tetor, pra deri të premten.