Arbëri

Kurti: Rritja e pranisë së forcave serbe pranë kufirit, reaksion ndaj “Defender Europe 2025”

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se besojnë që rritja e gatishmërisë së forcave të armatosura të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, është reaksion ndaj ushtrimit “Defender Europe 2025”, nikoqire e të cilit është edhe Kosova. 

“Rritja e gatishmërisë dhe e pranisë në kufirin tonë e forcave të armatosura të Serbisë, besojmë se është reaksion ndaj Defender Europe 2025. Por ajo që nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vet Serbia a po ia ka kërkuar Rusia”, ka theksuar Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë. 

Ai ka folur edhe për pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim, duke thënë se institucionet e Kosovës po dëshmojnë se janë të afta për të mirëpritur në territorin e saj organizime komplekse.  

“Defender Europe 2025”, konsiderohet si stërvitja më e madhe shumëkombëshe që është zhvilluar ndonjëherë në territorin e vendit.

Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë po marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

Pjesë e këtij ushtrimi është edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), që bashkëpunon me ushtritë e vendeve pjesëmarrëse në aktivitete që simulojnë operacione mbrojtëse, sulmuese dhe të stabilitetit.